Defaktorizimi i burokratëve të BE-së. SHBA flet për njohje, Mogherini për normalizim

Postuar në 18 Shkurt, 2019 22:55

Dy ditë më parë mediat e rajonit qarkulluan një letër që presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar homologut serb, Aleksander Vuçiç, përmes së cilës kërkon njohjen e Kosovës. Ky tekst, ku nuk përmendet ndonjë kusht specific për dialog, e zhvendosi në plan të dytë çështjen e shumëdiskutuar të tarifës 100% mbi mallrat serbe që mbahet nga qeveria e Kosovës. Arsyeja është e thjeshtë: Njohja e Kosovës është qëllimi dhe në fund pa të asnjë lloj dialogu nuk ka kuptim. Që këtej merr shumë kuptim edhe qëndresa e qeverisë së z. Haradinaj. Shtëpia e Bardhë po e kërkon këtë tashmë hapur dhe po kërkon që edhe Beogradi zyrtar ta pranojë hapur një gjë të tillë. Ky është një zhvillim që e redukton presionin maksimal mbi qeverinë e Ramush Haradinajt, sepse zbulon fare qartë se Serbia nuk pranon formalisht të njohë atë që nuk është me proces, por realitet. Duke i mohuar kështu finalitetin e natyrshëm dialogut, e bën fare të pakuptimtë dhe elementar debatin mbi tarifën.

Një tjetër tonalitet i jep përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini kësaj çështjeje. E cituar nga Klan Kosova, Mogherini është shprehur se për të nisur dialogu është e domosdoshme heqja e tarifës, por një gjë e tillë në fakt duhet të thuhet nga Serbia. Zonja Mogherini merr këtu një rol që tejkalon atë të ndërmjetësit, duke mos përmendur madje edhe përkufizimin e Trump për njohjen e Kosovës. Zonja Mogherini në fakt flet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe marrëveshje të detyrueshme.

Por në kësi gjërash detajet kanë rëndësi dhe termat bashkë me to. Është e qartë se nuk ka një zë nga BE-ja që t’i kërkojë Serbisë të njohë Kosovën, pra t’i bëjë të qartë se po ulet në tavolinë me kushtin e pranuar se do ta njohë Kosovën, që mandej kërkesa për heqjen e tarifës të marrë kuptim. Përkëdhelja e vazhdueshme e Beogradit është tashmë një gjellë që nuk hahet më dhe përbetimet e zonjës në fjalë se është e gatshme të mbyllet treshe me Thaçin dhe Vuçiçin për një marrëveshje, janë fjalë që nuk bëjnë as për anekdodë konviktorësh. Zonja po dëmton Brukselin dhe Unionin si përfaqësi burokratësh dhe jo Europën, që në fakt e ka mbështetur qeverinë e Kosovës në disa momente kyçe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.