Pranon publikisht se është pro idesë së ndarjes së Kosovës
Qeveria shqiptare e Edi Ramës deklarohet zyrtarisht pro opsioneve për një ndarje, shkëmbim territori, apo korrigjim të kufirit të Kosovës. Në një intervistë për agjencinë gjermane, Deutsche Welle, Edi Rama, është fshehur pas këtij qëndrimi:
Në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet dhe padyshim që duhet të finalizohet në një marrëveshje historike mes Serbisë dhe Kosovës. Përsa na takon neve, ne mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Kaq. Të tjerat pastaj janë "dokrra hini”, siç thoshte At Gjergj Fishta
Në të vërtetë, Shqipëria, nuk mund të qëndrojë në këtë lloj politike pasive që merr një rol të dorës së dytë për një çështje për të cilën Edi Rama nuk mund ta fshehë dot protagonizmin e vet. SHBA dhe ajo që njihet si BE me Mogherinin dhe Johannes Hahn nuk e përjashton marrëveshjen për ndarjen e territorit të Kosovës, të cilën nuk e kundërshton as presidenti Kosovar Hashim Thaçi.
Që Tirana zyrtare ka adoptuar këtë lloj politike të pabesë, këtë e bëri të qartë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sot në mbrëmje gjatë një interviste me syri.net, ka shprehur rezerva për sjelljen e kryeministrit Edi Rama.
Tirana zyrtare duhet të ruhet në marrëdhëniet me Serbinë. Në çdo tryeze ose çdo forum ndërkombëtar qëndrimi i Ditmir Bushatit ka qenë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës ka qenë i qartë. Ende nuk e kam dëgjuar këtë gjë nga Edi Rama dhe pres ta dëgjoj diçka të tillë. Edi Rama duhet të niset nga pozicioni bazë, që të ruhet Kosova ekzistuese. Çdo kush duhet të ketë këtë bindje
tha Haradinaj që paralajmëroi zgjedhje të parakohshme në Kosovë.
Tashmë debati që duhet zhvilluar është nëse aktorët politikë në Tiranë do të duhet të pajtohen me qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë që po investohet për ndarjen e Kosovës. Që konsideron si politikë të jashtme aprovimin e çdo marrëveshjeje që ka bekimin e faktorit ndërkombëtar, përderisa mesa duket nuk arrin dot që këtë çështje ta zgjidhë me mikun Aleksandër.
Add new comment