Alibi dhe shantazhe "ekskluzive" me amerikanë në Prishtinë dhe Tiranë

Postuar në 14 Janar, 2019 14:46

Klan Kosova, televizion i cili drejtohet nga Baton Haxhiu, ka publikuar sot një material ekzkluziv siç e quan, sipas të cilit rezulton se SHBA-të kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës të heqë tarifën 100% për mallrat serbë. Sipas këtij televizioni, kërkesa është përpiluar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve dhe Departamenti i Shtetit Amerikan e përmes së cilës bëhet e qartë se Kosova duhet ta heqë taksën.

Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën nuk është e pakushtëzuar. Kosova për momentin e bart barrën e rrezikimit të dështimit dialogut

Nëse tarifa nuk supsendohet urgjentisht, SHBA-të do të suspendojnë asistencën në fushën e sigurisë, pra mbështetjen për FSK

janë dy prej kërkesave ndërkohë që pika e fundit është edhe shantazhi kryesor:

Kosova me sjelljet e saja të papërgjegjshme po e rrezikon seriozisht miqësinë me SHBA-të

Ky lajm duket se ka dhënë një farë efekti te kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, i cili përmes një statusi në Facebook thotë ndër të tjera se:

Vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe prolongimin e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje.

Përkundrazi, Qeveria e Kosovës do ta pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke. Garanca do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje

Çka do të thotë se Haradinaj po kërkon koncesionin e tij në funksion të heqjes së taksës e cila në të vërtetë po minohet nga brenda Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi. Ky është një rast pa precedent kur brenda një të ashtuquajturi shtet ka dy rryma nga të cilat njëra ka zellin e papërmbajtshëm të lëshimit territorial. Është e qartë se lajmi për këtë presion të SHBA-së ka dalë nga zyrat e Hashim Thaçit, një president i cili pak ditë më parë u telendis në mediat e Kosovës se përmes zëdhënësve të tij ndërhynte në pyetjet e gazetarëve. Sigurisht ky nuk është tamam rasti, Baton Haxhiu është një zelltar i madh i ndarjes së Kosovës, të cilën e fshesh pas eufemizmit marrëveshje me Serbinë. Zoti Thaçi, të cilit ai i qëndron si mentor, ka folur për ndarje, apo korrigjim, por jo delimitim të një kufiri që sipas tij është 400 km. Zotit Thaçi i pëlqen të bëjë figurën historike kur flet për përfshirjen e Preshevës në bisedime, por nuk ka përgjigje, as ai dhe as Baton Haxhiu, se çfarë është e gatshme të lëshojë Kosova.

Në prapavijë të këtij konflikti qëndron edhe Tirana zyrtare e cila sot me ministër të Jashtëm Edi Ramën nuk është e qartë se çfarë do të thotë për tarifat. Pak javë më parë kryeministri Rama u krekos në Kosovë ku i shpalli tarifat si të logjikshme, ndërkohë që me ezaurimin e argumentit “amerikan” mundet të ndryshojë qëndrim. Alibia amerikane u përdor prej z. Rama edhe për ABI Bank, ndonëse zullumet trazohen në Shqipëri. Dhe janë këta amerikanë që po i vendosin tarifa mbarë botës. Nga ana tjetër Klan Kosova nuk sqaron se ku qëndron interesi strategjik i SHBA-së në Kosovë...

Kjo që po ndodh është shumë e rëndë. Kemi një president në Kosovë dhe një kryeministër në Tiranë që thonë se do bëjnë çdo gjë që thotë Amerika, e cila deri më tani nuk është shprehur hapur me gjuhën që na sjell Klan Kosova i Baton Haxhiut. Ndoshta druhet se mos humbet miqësinë e përjetshme të shqiptarëve? Ndoshta. Por nëse SHBA kushtëzon këto lloj sjelljeje me Serbinë, atëherë Kosova në fakt nuk ka shtetësi dhe as ekzistencë. Dhe në fund të fundit mbrojtjen e saj do ta bëjnë njerëzit e saj. Mbrojtje me argumente dhe me vendosmëri. Lëshimi territorial do të ishte një gabim që do ta paguanin të gjithë shqiptarët dhe legalisht nuk ka sens sa kohë që Serbia i përmbahet rezolutës 1244. Prania e serbëve në Kosovë, me të drejtat e tyre të paprecedenta janë një barrë për një shtet në Ballkan, por nga ana tjetër përçojnë detyrimin e Kosovës për të qenë përherë demokratike, pra e jetueshme. Është e dukshme tashmë se Serbia nuk ka aq forcë sa pretendon qeveria e Tiranës dhe presidenti i Serbisë. Pasi përndryshe ajo nuk do të kërkonte angazhimin ndërkombëtar për heqjen e tarifave. Forca e saj qëndron te entuziazmi i batonëve, pazaret e thaçëve dhe hiçmosgjëja e zakonshme e Tiranës zyrtare.

Comments

Submitted by redaksia on

Ashtu eshte. Shqiptaret e vertete qe duan ta ndajne, ne fakt e bejne kete per ta bere shtet prej verteti. 

Submitted by Gjoni (not verified) on

Shkrimi nuk merret vesh. Shkruani pak me thjeshte, dhe pak me qarte, dhe keshtu mund te kuptohet se per cfare po shkruani, o shoke. Redaktoni pak. Shkrimet jane per publikun, jo per surrealistet qe vetem ata e dine se cfare duan te thone. Dhe ne disa raste, as ata vete nuk e dine.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.