Letra e nxënësve të fillores: Xhaxhi Edi! I thuaj Babagjyshit të na sjellë një si ai oxhaku në klasë!

Postuar në 08 Janar, 2019 17:41

Xhaxhi Edi! 

Jemi bërë bashkë dhe po të shkruajmë nga klasa jonë. Po rrimë afër me njëri-tjetrin sepse është ftohtë, shumë ftohtë. Në klasën tonë nuk rrihet pa xhup. 

Kjo është letra e parë. Për të gjithë ne të klasës. Njëri tha se do donte që letrën e parë t’ia niste një vajze të klasës, një tjetër se donte që të mos shkruajë letra, por të ketë telefon si babi e të shkruajë aty, me taç. Kurse disa thanë se letra e parë duhet për Babagjyshin e Vitit të Ri. 
 
Por mësuesja na tha: 

Pse nuk i shkruani xhaxhi Edit? 

Ajo na shpjegoi se ti xhaxhi Edi e ke shumë shok Babagjyshin dhe mund t’ia mbushësh mendjen që të na sjellë ndonjë ngrohëse në klasë. Një shoku im i tha mësueses se Babagjyshi nuk ka shokë, ai ka  xhan fëmijët dhe nuk rri me të rriturit. Por mësuesja tha se ti xhaxhi Edi je i veçantë, ti ke shumë shok Babagjyshin që vjen në Shqipëri. 

Duke shkruar letrën me laps dhe gomë, e pyetëm mësuesen se kush është në fakt xhaxhi Edi dhe pse ne atëherë duhet t’i shkruajmë Babagjyshit vitin tjetër? Mësuesja na tregoi atëherë në telefon fotografinë tënde dhe aty që të gjithë qeshën. E kuptuam pse mësuesja na drejtoi tek ty: ti je ai xhaxhi që ke oxhakun e zi, që ka në mes flakën e verdhë pa tym. 

Ja një oxhak të tillë duam edhe ne. Të lutemi xhaxhi Edi! I thuaj Babagjyshit që vjen në Shqipëri të na sjellë edhe ne në klasë ndonjë si ai oxhaku. Është shumë ftohtë. Edhe mësuesja ka shumë ftohtë, por nuk e kuptojmë se përse nuk të shkruan edhe ajo me ne në këtë letër. 

Mos harro Xhaxhi! 

Mirupafshim nga nxënësit e klasës I Th të shkollës “Pjetër Budi” në Tiranë! Po na e plotësove dëshirën do të t’i shkruajmë të gjitha letrat ty dhe asnjë Babagjyshit.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.