"Hapje dosjesh" sipas nevojave të Pushtetit

Postuar në 20 Dhjetor, 2018 20:17

Protagonist i seancës plenare të kësaj të enjte ishte deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa, i cili qëlloi me vezë kryeministrin teksa ky i fundit fliste në foltoren e parlamentit. Incidenti prishi disi humorin e kryeministrit, i cili komentoi nga rubrika “Përgjigjia ime” gjestin e deputetit të PD-së, të cilin e quajti trim koteci.

Të tilla trima ka nga të dyja palët mjafton të kujtosh kapërcimin e Taulant Ballës mbi kordonin e policisë në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, kur mandati i kryebashkiakut  kalonte nga Edi Rama te Lulzim Basha.

Publiku ua njeh këtë lloj trimërie si deputetëve të Partisë Demokratike ashtu edhe atyre të Partisë Socialiste që në këto vite na kanë rezervuar jo pak shfaqje.  Po aq  të shqetësuara se vëtë kryeministri kanë qenë edhe mediat pranë tij, ose thënë ndryshe tamburët e pushtetit, të cilat kanë sjellë në vëmendje se kush është deputeti demokrat që qëlloi me vezë kryeministrin.

Këto media që i bëjnë temena kreut të qeverisë thonë se  “po t’i hedhësh një sy jetëshkrimit të deputetit Endri Hasa, ai rezulton se ka  qenë drejtor i AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) në vitet 2010-2013, i një institucioni të rendësishëm që ka nën kontroll të gjithë sistemin e sigurisë kibernetike teknologjinë e institucioneve, përfshirë këtu kryeministrinë, edhe në 21 janar të 2011, kur në shesh u vranë 4 qytetarë nga plumbat e pushtetit të kohës”.  Kuptohet biografia është servirur nga lart dhe është pasqyruar në shkrimet e gazetarisë së akredituar pranë zyrës së qeverisë. Të njëjtën biografi lexoi në parlamëent edhe deputetja socialiste Elisa Spiropali.

Fakt është se mediat e kryeministrit u merakosën për CV-në e zotit Hasa tani që deputeti qëlloi me vezë shefin e qeverisë, duke i prishur humorin. Një politikë skualifikimi që operon me hapje dhe mbyllje dosjesh dhe një vije editoriale që relativizon shërbimin ndaj pushtetit me biografi që pushteti i mban ose nën sqetull ose në sirtar.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.