Koha që studentët të jenë seriozë me protestën e tyre

Postuar në 11 Dhjetor, 2018 12:04

Protesta e studentëve ka vijuar edhe sot me një pjesëmarrje të konsiderueshme. Me të njëjtin ritëm si në ditët e shkuara, me gjetjet e veçanta në pankarta, që sa vijnë e shtojnë dozën e ironisë deri në kufijtë e mungesës së seriozitetit, protesta po e vendos në vështirësi serioze imazhin e qeverisë e cila nuk ka një përgjigje të përshtatshme deri më tani. 

Edhe sot studentët kërkonin në kor uljen e tarifave, ndërkohë që ato janë premtuar se do të ulen. Sulmet verbale ndaj ministres së Arsimit, apo kryeministrit Edi Rama janë të përsëritura dhe në kor, por përtej këtyre elementëve dekorativë tashmë protesta ka një pikëtakim të vështirë me perspektivën e saj. Sepse ajo nuk mund të vendosë ultimatume, por duhet të imponojë karakterin e diskutimit me qeverisë. Është me vend të theksohet se në protestën e sotme, e shtrirë në një rrip rruge prej gati 100 m në dy anët e Ministrisë së Arsimit ka patur dy grupe organizatore. Njëri grup me kaska të verdha sipas gjasave të Organizatës Politike, më afër MAS dhe me numrin më të madh dhe një tjetër i shkëputur që tubohej disi më i veçuar nga i pari. 

Nuk është e vështirë të dallosh njerëz partiakë në numrin e njerëzve, edhe ata legjitimë në kërkesën për një arsim cilësor apo falas. 
Kjo është faza e demonstrimit, e forcës. Tani çfarë duhet të ndodhë? Studentët po thonë se janë në shesh për disa kërkesa. Si do të plotësohen ato kjo mbetet ende pa përgjigje. 

Dhe një tubim që humbet identitetin e vet në rendjen pas magjisë së demonstrimit në rrugë, që nuk i jep kokë vetes, në fund priret të anarkizohet. Mund të shihet fare lehtë ndryshimi i sjelljes së qytetarëve që kalojnë aty pari. Nëse në dy ditët e para kishte një entuziazëm dhe nxitje, tashmë ka vetëm kuriozitet. 

Shqipëria e këtyre viteve është mësuar me bllokim rrugësh dhe tubime prej disa qindra njerëzish që në fund thjesht bëjnë zhurmë. Duket se studentët, organizatorët e tyre që janë disa, nuk kanë qenë të përgatitur për t’i dhënë përgjigje një proteste masive që tejkalon me përmasën e vet arsyen e të qenit vetëm për dida kërkesa për tarifa. Dhe nuk janë në gjendje që këtë shndërrim ta bëjnë apo ideojnë as profesorët e studentëve që qëndrojnë në prapavijë në kafenetë pas  Ministrisë së Arsimit. 

Sa për qeverinë dhe Kryeministrin, ajo e mori mirë përgjigjen. Urrejtja ndaj arrogancës së saj është pjesë e realitetit politik dhe sociale që ajo duhet ta llogarisë shumë mirë. Vetë qendra e majtë është në krizë morale të thellë, ndonëse ajo disponon burime të mjaftueshme për të korrigjuar shumëçka. Në krizë është ddhe qendra e djathtë, opozita e sotme, e cila di t’i t’i japë kërkesave, në pamje sociale dhe ekonomike vetëm një drejtim: rrëzimin e qeverisë. 

Diçka po ndodh në vend. Diçka që kërkon shqyrtim serioz për të cilin mesa duket askush nuk është gati, ose nuk as dëshirë ta bëjë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.