Një shembull i keq për “shokët” e Gruevskit
Arratisja e Nikolla Gruevskit në Hungari dhe refuzimi i Budapestit për të mos e ekstraduar ka ekspozuar disi BE-në pasi një vend anëtar si Hungaria po kthehet në strehë një ish-politikan nga Ballkani, për të cilin drejtësia ka dhënë një vendim. Të tillë mund të ketë plot në të ardhmen, duke përfshirë edhe Shqipërinë pas ngritjes së SPAK dhe BKH. Mirëpo rasti Gruevski nuk është një shembull i mirë sipas raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.
“Ky do të përbënte një shembull shumë të keq se si shteti ligjor nuk funksionon në Hungari. Kjo do të thotë që mund të bësh çdo gjë, pasi në një shtet anëtar të Bashkimit Europian mund të gjesh një shok të braktisur si ti!”- tha Fleckenstein në një intervistë për Klan Maqedonia.
BE nuk përfaqëson më një autoritet mbi palët dhe këtë e provoi edhe indiferentizmi i Hungarisë ndaj kërkesës së bërë nga Parlamenti Europian për ekstradimin sa më shpejt të Gruevskit nga Hungaria.
“Nuk mund të themi që u arrit qëllimi, sepse zoti Gruevski është ulur rehat në një vilë në Hungari. Eshtë një çështje vetëkuptimi dhe respekti për vetveten: Nëse ti ikën me vrap kur je i dënuar nga një gjykatë, ose i përmbahesh përgjegjësisë që ke! Zoti Gruevski mesa duket nuk është i interesuar për parimin e respektit për vetveten. Hungaria duhet të jetë shumë e qartë dhe të shpejtojë për ta dërguar mbrapsht në atdheun e tij, vendit të cilit ai i përket"-theksoi eurodeputeti gjerman.
Add new comment