Italia pa alternativa përkundrejt Europës Gjermane*
Është e sigurt që pas mosmarrëveshjes që sot ka vënë përballë Italinë me Bashkimin Evropian qëndron vendosmëria e qeverisë së koalicionit Lega-Lëvizja 5 Yjet për për një kundërvënie vetëvrasëse kundër Brukselit, për t’i dhënë përparësi me çdo kusht vullnetit të saj mbi rregullat e Unionit.
Por përtej vullnetit dhe vetëdijes së vetë protagonistëve të saj, kjo mosmarrëveshje mund të flasë edhe për diçka tjetër. Ajo hedh dritë në mënyrë indirekte mbi një pauzë të historisë, e cila po ndërhyn në mënyrën sesi tradicionalisht Italia ka zgjedhur të qëndrojë mes shteteve të tjera europiane. Kjo pauzë është prodhuar nga prishja e ekuilibrave botërorë, një fenomen ky i 15-vjeçarit të fundit. Nga pikëpamja gjeopolitike, në fakt, edhe Italia, si Gjermania, është një fuqi që qëndron në mes. Nuk është në qendër të masës kontinentale europiane si Gjermania, por Italia përbën që në krye të herës një zgjatim qendor të së tërës në një det me rëndësi si Mesdheu. Pra, edhe Italia e ka pasur gjithnjë problemin e përballjes njëkohësisht me lindjen dhe perëndimin, që nga të anët provoi se kufijtë e saj kanë qenë të depërtueshëm, edhe pse me një natyrë tjetër. Me natyrë tokësore në lindje, ku alpet nuk përbëjnë një barrierë efikase përballë botës sllavo-ballkanike; dhe kufirit me natyrë detare në perëndim, i hapur për të gjithë që mbërrijnë aty. Pra, potencialisht, Italisë i është dashur gjithnjë ta shohë këtë përmes prezencës pak a shumë potenciale të një Ushtrie të Madhe të Pianurës në lindje (nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Vandalët apo Armatën e Kuqe) dhe Flotës së Madhe (qoftë të vendeve me shumicë myslimae apo Britanisë) në perëndim.
Parë në këtë këndvështrim, predispozita e dyfishtë e Italisë në raport me Europën, sidomos në sytë e të tjerëve është e qartë. Që këtu nis, në të njëjtën kohë, tendenca për të provuar lojën lindja kundër perëndimit dhe e anasjellta. Këto dy aspekte, shteti italian i ka mishëruar plotësisht që në fillesat e tij: duke përdorur Francën kundër Austrisë në vitin 1859 e më pas në 1870 Prusinë kundër Francës për të dëbuar këtë të fundit nga Roma e për ta bërë kryeqytetin e mbretërisë së re. Ç’domethënie tjetër do të kishte pjesëmarrja në aleancën me Gjermaninë dhe Perandorinë Austro-Hungareze apo miqësia me Britaninë?
As periudha republikane nuk më rezulton se e ka prishur këtë tendencë. Demokracia kristiane dhe Partia Komuniste kanë përfaqësuar pothuajsë simbolikisht dualitetin gjeopolitik të Italisë. Fakt mbetet se, pavarësisht se e lidhur fort me Shtetet e Bashkuara dhe e radhitur qartë në krahun e Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë për 40 vjet me radhë Italia nuk ndaloi kurrë së tentuari për të krijuar një hapësirë të vetën në kuadratet gjeografike alternative.
Duke synuar në këtë mënyrë që të balancojë dhe të zbusë kufizimet e përmendura më lart (mjafton të kujtojmë politikat për naftën dhe në përgjithësi ato ndaj Lindjes së Mesme dhe të ashtuquajturës Bota e Tretë apo përpjekjet e vazhdueshme për të pasur marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik). Potencialisht, por jo shumë, edhe evropianizmi italian e ka pasur këtë valencë në disa raste.
Pas trazirave që kanë pasur pasoja në kuadrin ndërkombëtarnga fundi i shekullit të kaluar e më pas, këto linja veprimi duken sot në mënyrë thelbësore të pazbatueshme. Mbi të gjitha për 3 aspekte: nga një anë sepse është zbehur lidhja jonë e fortë dhe absolutisht e detyrueshme me Shtetet e Bashkuara, të cilat janë impenjuar prej disa kohësh në ridefinimin e angazhimeve të tyre me këtë pjesë të botës. Nga ana tjetër sepse vende si Lindja e Mesme dhe Afrika Qendrore janë kthyer në teatro të krizave të thella dhe permanente, me protagonistë të ashpër e situata komplekse, shtete drejt shpërbërjes, trazira dhe luftë endemike. Ato janë kthyer në teatro ku, në krahasim me të kaluarën, për një vend si Italia është tepër e vështirë të manovrojë me ndonjë shpresë për protagonizëm dhe sukses. Dhe në fund, për shkak se Europa, në vend të Rusisë komuniste dikur (e mbyllur në kampin e saj ideologjik, në ankth edhe për kthesën më të vogël që mund të ndodhte në kampin rival, por e kujdesshme për të mos vënë në lojë për këtë raportet me SHBA-të) sot është Rusia e Putinit, e gatshme për të forcuar pa asnjë paragjykim marrëdhëniet me cilindo shtet, në funksion të politikave antiamerikane dhe anti-BE. Por gjithashtu e gatshme që pas shtrëngimit të duarve, t’i marrë krahun e çfarë vjen më pas bashkëpunëtorit të ri. Me pak fjalë, sot, një “xhiro” në Moskë nuk është si një vals, por rezikon të kthehet në një udhëtim pa kthim.
Në këto kushte, Italia po i sheh të mbyllen të gjitha teatrot ku ka vënë në zbatim dualitetin e saj, ku për dekada ka kërkuar dhe ka gjetur hapësirat për përpjekjet e saj për ribalancim, duke pasur kështu mundësinë që nga koha në kohë të ndërtojë rolin e saj autonom të nivelit të dytë, ndryshe nga ai i pari. Por është pikërisht si rezultat i kësaj gjendjeje që ajo e gjen veten në një rrethanë të re dhe të pazakontë: ajo e të pasurit një skenar të vetëm të mundshëm për politikën e saj të jashtme, Bashkimin Evropian. Sot për Italinë në kontinent nuk ka spirale të mundshme, fusha alternative veprimi. Është vetëm arena e Brukselit. Dhe në arenën jashtë Evropës, ku zakonisht binte në sy prania e saj në nivel sekondar, me funksion të ndryshëm nga ai kryesor, hapësirat duken shumë të vogla: merrni parasysh humbjen e ndikimit, pavarësisht nga përpjekjet tona të dëshpëruara, të ndërhyrjes tonë në Libi dhjetë vitet e fundit. Pa një pozitë të rëndësishme, jemi të mundur në Bruksel. Megjithatë, është e qartë, në fund të fundit është një mënyrë për të thënë diçka tjetër: në të ardhmen do të jetë gjithnjë pa kundërpesha të mundshme hegjemonia gjermane. Me shpresën se do të jetë mirëdashëse sigurisht, edhe pse historia na kujton se asnjëherë nuk i dihet.
Që këtu rrjedh një intolerancë psikologjike, e cila nëse do të provohet nga diplomacia jonë, por sigurisht është reflektuar në një pjesë të opinionit dhe klasës politike, e cila e shton ndikimin e saj në qëndrimin e saj polemik ndaj BE-së. Domethënë, për t’i thënë gjërat pa i zbukuruar, nuk mund të praktikojmë më atë “lojën e dyfishtë” që për shumë kohë ka qenë pjesë e rëndësishme (edhe pse jo fort e pëlqyeshme) e identitetit tonë kombëtar dhe politikës së jashtme. Kjo është alternativa e vetme që ekziston teorikisht (që të bëhemi partnerë pak a shumë të panjohur të Shteteve të Bashkuara ose Rusisë për të vënë në vështirësi ngrehinën evropiane të mbizotëruar nga Gjermania) - më shumë se konturet e një hipoteze fantapolitike që parasheh një makth të mundshëm.
Corriere della Sera/TemaTv
*Titulli i ResPublica
Add new comment