Kalabria dhe Shqipëria një lidhje që reziston prej 600 vjetësh
Ilir Meta u prit me shumë entusiazëm në Lungro të Kalabrisë, ku mijëra arbëreshë dolën për t’i uruar mirëseardhjen kreut të shtetit shqiptar.
“Kalabria është shumë e rëndësishme për ne, sepse këtu është zemra e bashkësisë arbëreshe të zhvendosur në Itali që në Mesjetë. Ju jemi mirënjohës që kanë ruajtur gjuhën, traditat, zakonet, identitetin që nga koha e Skënderbeut. Është meritë e tyre, por edhe e kalabrezëve dhe italianëve, që i kanë mirëpritur.’’ – u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti i Rajonit të Kalabrisë vlerësoi lidhjet e vjetra historike dhe marrëdhëniet e ngushta mes dy popujve, si dhe rolin e rëndësishëm në këtë drejtim të bashkësisë arbëreshe në rajonin e Kalabrisë në këtë drejtim.
“Është një bashkësi që ka treguar përgjatë shekujve se si kultura, ekzistenca, ruajtja e traditave dhe gjuhës, por sidomos integrimi i tyre në Itali, kanë treguar se kjo është rruga e drejtë për të ilustruar mesazhet e paqes dhe bashkëjetesës’,’ – vuri në dukje Presidenti Oliverio.
Vizita e kreut të shtetit shqiptar në Shën Mitër Korona të mërkurën së bashku me Presidentin italian Mattarella në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut konsiderohet si historike dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin arbëresh, por edhe për të gjithë Rajonin e Kalabrisë dhe Jugun e Italisë, duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë dhe lidhjet e veçanta që Presidenti Matarella ka me arbëreshët.
Add new comment