Kthesa e madhe e Kishës Katolike: Papa po mendon t’u lejojë priftërinjve martesën

Postuar në 25 Tetor, 2018 13:12

Vatikani po shqyrton mundësinë e një ndryshimi të madh në gjirin e kishës katolike. Përballja sidomos vitet e fundit me skandalet seksuale të priftërinjve dhe rënia e numrit të këtyre të fundit po e detyron Atin e Shenjtë të shyrtojë hedhjen e një hapi të ri, që thyen një nga tabutë më të mëdha të katolicizmit: lejimin e martesës për priftërinjtë.

Papa Françesku ka thirrur një takim me peshkopët e Amerikës së Jugut, vitin e ardhshëm. Takimi do të ketë temë kryesore gjendjen e vështirë në të cilën është vënë kisha në këtë rajon, ku shërbejnë shumë pak priftërinj. Gjatë këtij sinodi pritet të ngrihet edhe çështja e pranimit të martesës për priftërinjtë.

Një dokumentar me këtë temë, i shfaqur në televizionin italian, pritet t’i shërbejë këtij ndryshimi. “Zgjedhja: Priftërinjtë dhe dashuria” është dokumentari që tregon historinë e dhjetëra priftërinjve në 4 vende të Europës, që ose jetojnë me gra larg syve të kishës ose janë larguar prej gjirit të saj vetëm sepse nuk u lejohet martesa. Sipas dokumentarit, shumë prej tyre do të ktheheshin me dëshirë në shërbesat fetare nëse kisha e pranon lidhjen e tyre me gratë.

Këta priftërinj kanë krijuar komunitetet e tyre brenda kishës dhe marrin pjesë në meshat e së dielës. Në fakt, Papa Françesku e ka parë edhe më herët si mundësi lejimin e martesës për priftërinjtë, si një mënyrë për të mbushur boshllëqet e krijuara në kishat e Amerikës Latine, veçanërisht në Amazonë.

Vocatio është një shoqatë në Itali e krijuar nga priftërinj të martuar. Ata i kanë shkruar Papa Françeskut një letër, me të cilën i shprehin solidaritetin dhe gatishmërinë për t’i ardhur në ndihmë kishës, që po përballet me skandalet seksuale në shumë vende të botës.

Sipas kreut të kësaj shoqate, Rosario Mocciaro, i martuar në mënyrë civile në vitin 1977, të paktën 5 mijë meshkuj në Itali i kanë braktisur shërbesat fetare si priftërinj dhe rreth 1/3 e tyre do të ktheheshin nëse kisha ua pranon martesën.

Papa Françesku po shyqrton mundësinë që priftërinj të martuar të lejohen të shërbejnë në kishë, me kushtin që të kenë të ashtuquajturat “virtute të provuara”, në latinisht viri probati.

Kushti që një prift të qëndrojë beqar është kthyer në traditë për kishën katolike që prej shekullit të njëmbëdhjetë. Për shkak se nuk është një doktrinë, ky rregull nuk është zbatuar kudo njësoj. P.sh kishat e Lindjes lejojnë që një prift i martuar të kryejë shërbesat fetare. Papa Françesku është shprehur disa herë se e vlerëson disiplinën e beqarisë, por kjo mund të ndryshojë pasi nuk është doktrinë e sanksionuar nga kisha.

TemaTv

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Dhe sa me shpejt biles! Te shpetojne keshtu femijet nga fantazi perverse pedofilesh!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.