Protagonist Kazani pa shkëputje nga puna
Është bërë shumë e vështirë të marrësh seriozisht kryeministrin e këtij vendi. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Sali Berisha nga mesi i qeverisjes së dytë e mbushte ligjërimin e vet me arrorët dhe ullirin, ndërkohë që në vend ndodhnin ngjarje të rënda. Mënyra e vetme për të bërë diversion.
Kryeministri i sotshëm po do të marrë rolin e gaztorit sepse ka halle të njëjta: nuk dihet si e qysh është ngatërruar me këmbët e veta në çështjet “Xhisiela” dhe “Babale”, që janë manifest I kësaj bashkëqeverisjeje me krimin. Dikush mund ta quajë shpifje këtë, por ky tanimë është fakt.
Sot kreu i qeverisë uron mirëmëngjes me njoftimin se do të jetë në “Zonë e Lirë”, “i vetmi kazan që nuk hiqet sikur nuk është kazan”.
Kjo dalje që është padyshim estrada falas e mbrëmjes, pason disa dalje në televizione të tjera, ku kryeministri dribloi gazetarët me gjeste, akuza, improvizime, ulërima dhe moralizime. Ka një arsye të thjeshtë për të frenuar këtë frenezi poitike të hallexhiut më të madh politik të sotshëm: të bëhen ato pyetje që do ta bëni zotërinë të mendohej mirë përpara se të shkelte nëpër studio. Pse nuk ndodh kjo dhe kemi këtë mik të madh të ekranit që është vëzhgues, akuzues, kritik, mallkies dhe në fund protagonist të Kazanit. Të atij Kazani nga era dhe duhma e të cilit nuk i ndahet shpirti dhe xhani.
Add new comment