Qeveria kapet me shifra të rreme
Në komisionet e Kuvendit u diskutua buxheti faktik i 2017. Shifrat nuk përbëjnë ndonjë interes në vetvete, pasi raportimi është kthyer në procedurë rutinë aq më tepër që qasja ndaj statistikave nuk reflekton ndonjë transparencë në nivel politikash të qeverisë.
Aargumenti që i jep vlerë debatit është nosrakordimi i shifrave mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe qeverisë per defiçitin buxhetor. Në auditimin që Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka bërë buxhetit të 2017-s rezulton se financat nuk kanë raportuar në mënyrë të saktë disa shpenzime të bëra, në mënyrë që të ruanin kufijtë e miratuar në ligj për defiçitin dhe borxhin publik.
KLSH ka evidentuar 110 milion dollarë detyrime të prapambetura për rimbursim të tvsh-së dhe 115 milion të tjera në zërin e shpenzimeve kapitale që janë paguar gjatë 2018-s. Ky transferim pagesash ka tjetërsuar raportimin për defiçitin, për të cilin ministri Ahmetaj këmbëngul se është në nivelin 2%, aq sa është miratuar fillimisht nga kuvendi. Por KLSH thotë se defiçiti i buxhetit duhet të raportohej ne shifrat 2.34%. Jemi në kushtet kur një institucion shtetëror kap në falsifikim qeverinë, e cila së fundmi ka lajmëruar kalimin në kuvend të një pakete antishpifje, ndonëse kjo e fundit gënjen me letra.
Ndërsa për statistikë, Kontrolli i lartë i Shtetit ka evidentuar se në 2017-ën dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit përmes shkeljeve është 60 milion dollarë, ndërsa parregullsitë e bëra arrijnë vlerën e 1.3 miliard dollarëve, afërsisht sa një e treta e të gjithë buxhetit. Dëmin ekonomik më të madh e ka sjellë keqadministrimi i pronës shtetërore të dhënë me qira dhe kontratave koncesionare.
Add new comment