Infeksioni “Veliaj” përhapet edhe në Prishtinë
Një debat i ngjashëm me atë për Teatrin Kombëtar në Tiranë ka zënë fill në Prishtinë. Komuniteti i artistëve të Prishtinës ka kërkuar ndërtimin e një salle koncertale, për të cilën është parë si opsioni më i mundshëm ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave të Gërmisë. E konsideruar si një nga objektet më ikonike të kryeqytetit të Kosovës, ish-shtëpia e mallrave ka hapur një debat të madh. Pavarësisht se Komuna e Prishtinës nuk ka vendosur ende përfundimisht se ku do të ndërtohet salla koncertale, një peticion që po firmoset në masë ka për qëllim t’i dalë përpara shembjes së ndërtesës së vjetër. Organizata “DoCoMoMo Kosova” ka organizuar një peticion, i cili është firmosur deri tani nga rreth 2 mijë e 500 persona.
“Ish-shtëpia e mallrave Gërmia është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj. Sot ky objekt është në rrezik shembjeje me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale”, thuhet në peticion. Pas nënshkrimit, ky peticion do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Kjo e fundit në deklaratat e fundit ka theksuar disa herë se ish-shtëpia e mallrave nuk është objekt i trashëgimisë kulturore, por shembja e saj kundërshtohet me argumentin se ajo është një nga shumë pak objekte të vjetra që dokumentojnë të kaluarën historike të vendit. Shtëpia e mallrave “Gërmia”, që daton prej peridhës së pas Luftës së Dytë Botërore, është qendra e parë tregtare në Prishtinë.
Pavarësisht se rastet në dukje ngjajnë, ka disa dallime mes Teatrit Kombëtar dhe shtëpisë së mallrave në Prishtinë. Të dyja të rrezikuara nga shembja (në rastin e Teatrit Kombëtar, kjo është vendosur), ato përfaqësojnë të kaluarën historike të dy kryeqyteteve që flasin shqip.
Por Teatri Kombëtar ka qenë për dekada të tëra shtëpia e artistëve, ndërsa “Gërmia” ka shërbyer për tregti përgjatë të njëjtës periudhë. Pra, në rastin e Tiranës, diçka e madhe i merret artit dhe në këmbim i jepet një copëz e vogël; ndërsa në Prishtinë një ndërtesë që është përdorur për tregti vihet plotësisht në shërbim të artit.
Salla e Koncerteve që mund të ndërtohet në vendin ku sot është ish-shtëpia e mallrave do të ngrihet me një donacion prej 15 milionë e 400 mijë eurosh nga Bashkimi Evropian e 250 mijë euro nga Komuna e Prishtinës. Ndërkohë, në Tiranë, shembja e Teatrit Kombëtar do t’i lërë vendin ngritjes së një të riu përmes skemës PPP (partneritet publik-privat), por hapësira publike aty do të shfrytëzohet edhe për ngritjen e një kompleksi kullash.
Nëse në Tiranë, teatri i ri është projektuar nga “Bjarke Ingels Group” - studio arkitekturore me qendër në Danimarkë - në Prishtinë u besojnë arkitektëve vendas. E megjithatë, studioja e projektimit “Innarch” njoftoi sot se nuk do të marrë pjesë në konkursin për “Operën dhe Teatrin” në Prishtinë, nëse duhet rrënuar objekti i shtëpisë së mallrave “Gërmia”.
Rasti i Prishtinës i ngjan një zinxhiri veprimesh që kanë për qëllim t’i shmangin Shtëpisë së Mallrave fatin e Teatrit Kombëtar. A do t’ia dalin ta ruajnë atë si kujtim të një periudhe të rëndësishme të arkitekturës kosovare dhe të zhvillimit shoqëror të Kosovës? Kjo mbetet për t’u parë në muajt në vijim.
TemaTv
Add new comment