Shokë socialistë, ngrohuni në Diell!

Postuar në 26 Shtator, 2018 22:27

Sa herë që politika i hap petët lakrorit të hajdutërisë na del përpara e njëjta skemë: deputetë që fusin hundët dhe duart ngado ku luhet paraja. Me pak vëmendje këtij mekanizmi mund t’i japësh edhe një karakteristikë të vetën. Për qeverinë e z. Rama deputetët që dalin thuajse ngado në akuza, janë ata që kanë mbërritur në politikë me katapultimin e vetë kryeministrit. Rilindas të ardhur në PS pas vitit 2005. Qoftë ata që akuzohen sot, qoftë ata që u diskredituan dje.

Sot është deputetja Bushka, një lidhje e shkurtër e Erion Veliajt. Dje ishte Alket Hyseni, një zgjedhje personale e z. Rama, që mesa duket ka parë më shumë nga vetja.

Pak më tutje, Mimi Kodheli, Sajmir Tahiri. Nuk ka rëndësi vërtetësia penale e akuzave. Perceptimi nuk gabon kur lexon te pushteti i sotshëm një ligjësi të shpërndarjes së parasë dhe përfitimeve që shkojnë përherë thuajse te njerëz të enturazhit të z. Rama.

Dhe ndonëse elitat në krye të PS-së janë ndryshuar tërësisht, elektorati voton besnikërisht. Kjo sjellje të kujton atë skenën te filmi “Lulëkuqe mbi mure” kur financieri i jetimores pasi futi në mencë disa të “zgjedhur” u kthye nga fëmijët që po prisnin dhe u tha: Ju të tjerët ngrohuni në diell.

Kështu edhe me shokët e dashur socialistë që bëjnë hasha Shqipërinë për Partinë: Ngrohuni në diell dhe mbani shënim bëmat e Taulantit dhe kalamajve miliarderë që ju tërheqin për hunde me ndonjë vend pune, apo ndonjë bursë 3 mujore gjëkundi.

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Hahaha ca artikulli... Sikur te ka ngel hatri qe pse ste akuzojnë dhe ty... Hajt mos i merzit po he...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.