Gjykim, jo Vetting për politikën
Sot politika shqiptare po propozon vettingun për veten. Pasi nxori në shitje të gjithë shërbyesit e vet në gjyqësor dhe prokurori, politika shqiptare po shpenzon edhe shpresën e fundit që ushqehet nga populizmi: Vettingu. Pastrimi radhëve të saj përmes largimit. Ne e shohim sesi gjyqtarë të korruptuar sot dalin nga sistemi pse nuk justifikojnë pasurinë, por askush prej tyre nuk ndëshkohet penalisht për këtë shkelje. Askush prej tyre nuk gjykohet sesi korrupsioni nga sjellë implikime në hetime, në vendime gjyqësore. Vettingu është pra nja gjethe fiku për të ruajtur të paprekur pasurinë e njerëzve që deri më sot janë qelizat kancerore të një shoqërie që nuk po shërohet dot. Dhe këtë gënjeshtër, edhe kështu selektive, politika po sugjeron që ta riciklojë edhe për veten.
Në të vërtetë, korrupsionit nuk i duhet legjitimiteti i tranzicionit siç po na thuhet. Pasi kështu shoqëria jonë është e marrë fund. Korrupsionit i duhet Gjykimi dhe Ndëshkimi. Politikës i duhet të ulet në bankën e të akuzuarve, ashtu siç shihet në këtë video të vitit 1992 ku ish-kryeministri Bettino Craxi pranon financimin e paligjshëm të partive politike. Atë financim për të cilin edhe në Shqipëri nuk flet kush. Le të vihet re te ky shembull edhe fakti se këto para kalonin në masë të madhe në formën e Bonove të Thesarit, çka implikon edhe Bankën Qendrore për t’u transferuar me ndërmjetës të fuqishëm biznesi në kompani offshore. Po në Shqipëri si veprohet? Si tërhiqen paratë nga llogaritë dhe si dorëzohen ato? Si justifikohet ky transaksion? Pse nuk ka asnjëherë hetim tatimore apo fiskal? Përgjigja është e qartë dhe vetëm një: Sistemi.
Rasti i Craxit është i paprecedentë. Askush nuk mendohet se do të flasë hapur në një vend si Shqipëria. Por të gjithë kanë detyrim ndaj vetes të mos gënjehen kaq trashë sa ç’gënjen politika shqiptare, e cila siç e shohim nuk begeniset prej askujt, pikërisht sepse është në lojën e shërbyesit dhe çirakut, njëherë për drogën, e njëherë tjetër për trafikun e klandestinëve.
Add new comment