Kartolina turistike e shekullit të 21-të
Sali Berisha e kishte zakon: sa herë shkonte në Sarandë, i hapte fjalimet e tij me fjalinë: Saranda është e bukur.
Në fakt kjo fjali nuk të lë në baltë, përderisa nuk hyn as te repertori i demagogjisë. Saranda është vërtet e bukur në kuptimin e pozicionit dhe të gjirit.
Por as z. Berisha dhe as pasardhësi i tij, Edi Rama, që vetë promovohet si artist duke zgjedhur “më të bukurën” standard për qytetet si bulevardi i ri, ca bordura, stola dhe palma, nuk e kanë preferuar Sarandën për pushimet e tyre.
Dallimi mes tyre qëndron në faktin se Berisha kreu disa investime infrastruktutore, kurse qeveria e z. Rama, edhe pse e nisi vrullshëm me caktimin në Sarandë të Postkomandandit të përgjithshëm për Jugun, Koço Kokëdhima, e la pas dore “perlën e rivierës shqiptare”. Në një bisedë me një qytetar të Sarandës merr vesh edhe linjën vertikale të thashethemit politik që thuhet për të ardhmen: është thënë se kryeministri e ka ndarë mendjen. Për Sarandën investimet nisin pas 2021-t. Një planifikim pak futurist meqenëse 2021 presupozon fitoren e një mandati të tretë.
Po cili është investimi për të cilin z. Rama ka në mendje për Sarandën e bukur? Kush vallë e di xhanëm, pasi kush mund të marrë me mend vizatimin e radhës në mbledhjen e sapopërfunduar të Asamblesë, por ajo që qarkullon si thashethem është sërish një lungomare edhe për Sarandën që do të lidhte me një rrugë anësdetëse lagjen e re të të ardhurve nga gjiri i Limjonit me kanalin e Çukës.
Kjo kërkon prishjen e disa ndërtimeve jo të vogla anës vijës bregdetare, por edhe shkallmimin përfundimtar të pjesës shkëmbore të plazhit të vjetër për aq sa ka mbetur nga batërdia e ndërtimeve dhe sheshimeve anormale që synojnë kthimin në ranore të një plazhi ekskluzivisht shkëmbor. Kjo është një marrëzi nga e cila z. Rama duhet të heqë dorë për të mos e zhbërë edhe atë copëz të gjirit që i ka shpëtuar shkatërrimit.
Përtej asaj që thuhet, një vëzhgim i sipërfaqshëm në qytet të jep të kuptosh se Saranda turistike është një legjendë e thurrur njësoj si për Shqipërinë turistike, e cila është e tillë vetëm për muajin gusht. Dhe është kjo aritmetikë që shpjegon edhe anomalitë që has në raport me biznesin e shërbimeve në qytet, çudinë e luhatjes së çmimeve që së fundmi i bashkohet edhe harbutëria e dukshme e atyre që shërbejnë.
Mijërat e turistëve sllavë dhe italianë që vijnë vërdallë në qytet, janë oksigjen i mirë për një ekonomi që sot mban në këmbë një standard të Sarandës, e cila përndryshe do të ishte gjithë vitin ajo fantazmë urbanistike me drita të fikura që është gjatë dimrit. Turizmi është diçka më shumë sesa plazhi dhe rëra e detit. Ose do të duhet të ishte. Por Shqipëria duket se i negocion statistikat pozitive të atij që quan turizëm me kosto të cilat sot shihen por neglizhohen. Janë kostot mjedisore dhe që po deformojnë strukturën ekonomike dhe atë të ofertës në këto qytete, e që me gjasë do të ketë pasoja afatgjata. Një shembull vlen shumë. Gjatë muajit gusht në mediat shqip qarkullonin foto, ndonjëherë të shpërndara edhe nga qeveritarë, të anijeve të mëdha, jahteve që ankorohen në portin e Sarandës. Sigurisht që kjo i shërben shtimit të numrit të vizitorëve por nga ana tjetër ka një mendim se ankorimi në portet shqiptare bëhet edhe për shkak të funksionalizimit të rregullit të rimbursimit të tvsh-së për blerjet në dyqanet e kroçerave. Kjo gjë është e mundur sigurisht edhe në disa vende të tjera të BE-së që nuk përfshihen në rregullat e tvsh-së.
Nga ana tjetër kjo prurje ka nevojë për menaxhim të fortë. DItët e fundit të gushtit në Sarandë mbërriti një anije e Holland America Line e cila qëndroi në radë përgjatë gjithë ditës. Para ikjes nga Saranda, “manovra” e fundit e kësaj anijeje që i bënte hije gjirit ishte derdhja përmbi 40 minuta e ujërave të përdorura prej saj. Sipas rregullave duhet që shkarkimi i ujërave të zeza të bëhet me bote të posaçëm, por kjo është diçka e tepërt në një vend si Shqipëria.
Sesa spontan është i ashtuquajturi turizëm në këtë vend mund të shihet ndër të tjera edhe te ankesat për mungesën e kosovarëve. “Familje të mëdha, që bëjnë shpenzime”, ja një argument mirëfilli ekonomik. Ksamili thuhet se ka qenë i mbipopulluar sivjet me qytetarë të Kosovës që vijojnë të jenë e ardhur kryesore për zonat e Jugut.
Bregdeti mbetet patjetër një alternativë kryesore për pushimet verës. Por në ndryshim nga vendet fqinj që ofrojnë një paketë të plotë oferte për një turist që nuk shikohet si lopë për t’u mjelë në këmbim të menusë me detin, çadrën dhe ushqimin, Shqipëria e Jugut, në Sarandë dhe në Ksamil po konsumon “magjinë” e sekretit të fundit të Europës shumë shpejt. Mund të shkosh aty për çmimet, për të dalë tej kufirit grek dhe italian, për ushqimin e lirë relativisht etj. Por kaq. Saranda dhe Ksamili, por edhe bregu në tërësi po urbanizohen dhe ca më keq po marrin fizionomi të re urbane në funksion të atyre që vijnë aty për 15 ditë. Rripa dhe istme hotelesh që zgjaten nga të gjitha anët, të mbipopullura me gjithfarë emrash dhe llangosur me gjithfarë ngjyrash dhe shijesh. Kapanone betoni që po kthehen në qytete të vërteta për të zhbërë qytetet/qytezat e dikurshme, nga të cilat po mbijetojnë vetëm kujtimet. Fqinjët na konkurojnë edhe sepse kanë barazvlerësuar qytetin, fshatin me ofertën turistike. Mbi këtë premisë ajo strukturohet te turisti që nuk vjen aty vetëm për detin. Tek ne qyteti i lëshoi vendin dhe u asgjësua para kolonisë turistike vjetore duke rrafshuar territore, peizazhe dhe duke injoruar dhe përçmuar një histori sado modeste.
Përse të shkosh të në Sarandë apo në Ksamil? Sepse janë vende të bukura. Po përse të rikthehesh aty? Ata shqiptarë që kanë bërë pushime në Jug përpara viteve ’90 me siguri që do ta kishin të vështirë të merrnin me mend këtë farë shpartallimi që dëshmojmë sot duke u ankuar port ë pafuqishëm për të bërë diçka. E vetmja që mund të korrigjohet është standardi i shërbimit i cili mund të rritet vetëm nga hyrja e kompanive të njohura që mund të nxjerrin nga qarkullimi harbutërinë. Të paktën kjo, meqenëse tashmë këmbora e “qytetit turistik” ka ngecur në qafën e një qyteti që kujton se diellin dhe detin i ka meritë dhe jo dhuratë.
Add new comment