Polifonia vajtuese, si atu e Unionit të (disa) Gazetarëve*

Postuar në 04 Shtator, 2018 21:34
Mero Baze

...

Një raport i një sindikate gazetarësh në Shqipëri, thotë se 45 gazetarë janë ndjerë të kërcënuar dhe kanë kërkuar të largohen nga Shqipëria dy vitet e fundit. Raporti vendoset në një kontekst emocional, pas sulmit mbi shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala dhe pas një kërcënimi serioz nga një bandit lokal, mbi një reporter të një televizoni në Laç.

Të dyja janë ngjarje shumë të rënda dhe të dyja duhen zbardhur deri në fund, por këtu duhet të ndajmë masivitetin e njerëzve që kanë nevojë për azil si gazetarë, me gazetarët realë që mund të ikin, edhe pse janë kërcënuar vërtet.

Statistikat e nxjerra nga konteksti janë një dëm më i madh, pasi fshehin të vërtetën. Ka qenë po kështu një skenë cinike me gazetën “TemA” më 2010, ndërsa qeveria e mbylli me policë, dhe një shoqatë gazetarësh protestonte se gazeta kishte lënë gazetarët pa punë, por nuk thoshte që qeveria e kishte mbyllur.

Kërcënimi në punë i një gazetari, është bashkëshoqërues i karrierës së tij.Është si ndryshku që shoqëron hekurin gjithandej. Një gazetar që nuk është kërcënuar asnjëherë në jetën e tij, sidomos në vende si Shqipëria, nuk është gazetar, por punonjës shtypi. Dhe këtu duhet të bëjmë një dallim thelbësor. Ka plot arsye për një njeri që do të ikë në emigracion. Miliona shqiptarë kanë emigruar nga vendi prej vitit 1990 dhe para vitit 1944. Të gjithë për halle kanë ikur. Të ikësh për halle sociale, ndërkohë që ke punuar dhe në shtyp, është tjetër gjë, dhe të largohesh nën kërcënimin e jetës për shkak të punës si gazetar, është tjetër gjë. 

Gazetarët më të njohur në vend janë kërcënuar thuajse të gjithë, por nuk ka ikur askush nga vendi. Por gazetarë që kanë marrë azil në vite për shkak se kanë qenë punonjës shtypi, ka me qindra. Dhe ky spekulim duhet të marr fund. Kur i referohemi debatit për lirinë e shtypit në Shqipëri, duhet të jemi seriozë në atë çfarë e bën mbytës mjedisin e gazetarisë në Shqipëri, dhe atë çfarë detyron një hallexhi të iki nga Shqipëria, pasi ka marrë rrogën si gazetar.

Nuk kanë ikur më 1997, asnjë nga gazetarët e “Koha Jonë”, dhe ata që rriheshin rrugëve nga badigardët e Berishës, dhe ata që futeshin në burg. Nuk kanë ikur më pas ata që përballeshin me banditët e mbetur të ’97-s, dhe mund ta vazhdoj listën deri sot, tek gazetarët që përballen realisht me kërcënime, siç janë gazetarët që mbulojnë kronikat e zeza, si Klodiana apo Artani, apo ata që bëjnë shkrime serioze investigative.

Unë nuk e vë në dyshim se 45 gazetarë janë ankuar në zyrat e azilit në Perëndim se kanë ikur si të kërcënuar, dhe dikush prej tyre mund të ketë qenë dhe punonjës shtypi, por duhet të jemi më seriozë kur themi 45 gazetarë. Janë shumë, dhe për të qenë në Shqipëri.

Marrë me shkurtime nga www.gazetatema.net

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.