Spital i ri në Sarandë? Ministrja nuk sqaron ku do gjenden mjekët
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, publikon sot në profilin e vet në Tëitter lajmin se investimet në spitalin e Sarandës janë duke shkuar drejt fundit.
Drejt përfundimit spitali modern i Sarandës, materniteti dhe pajisja me aparatura biomjekësore të teknologjisë së lartë. Për herë të parë edhe pistë helikopteri
njofton ministrja.
Një lajm i mirë por që ka pikëpyetjen se cili është stafi që do të punojë në këtë spital modern. Sipas raportimeve të bëra në maj të këtij viti, ku flasin mjekë apo drejtues të spitalit, nga 30 mjekë që duhet të ketë ky spital, punojnë aktualisht 27, edhe këta jashtë specialitetit.
Në urgjencë janë të punësuar 3-4 mjekë, por që nuk janë specialist. Në spital ka mungesë të mjekut hematolog dhe mjekut neurolog. Një ndër problematikat kryesore të spitalit është se për shkak të mungesave vazhdojnë të punojnë disa mjekë pensionistë. Nga tre kirurgë që ka spitali i Sarandës, dy prej tyre janë pensionistë. Mjeku imazherist në spitalin e Sarandës vjen nga Vlora njëherë në javë. Spitali i Sarandës ofron shërbim për 130 mijë banorë të pesë njësive administrative: Sarandë, Konispol, Finiq, Delvinë, Himarë
raportonte në muajin maj, TemaTv.
Godina që po rikonstruktohet bashkë me pajisjet që po instalohen janë një gjë shumë e mirë, puna është se ministrja nuk ka dhënë sqarime sesi do të zgjidhet çështja e personelit. Në Sarandë shumica e ndërhyrjeve mjekësore rekomandohet të bëhet ose në Greqi, ose në Tiranë, duke e shndërruar spitalin në një objekt ku mund të shpresosh për ndonjë ndërhyrje minimale të trauma dhe për marrje vërtetimes për patentë.
Add new comment