Ndërron mendje, edhe mund të marrim emigrantë!
Është kthyer në telenovelë mundësia që Shqipëria të pranojë emigrantë. Nga një pozicion kategorik për të mos hapur dyert për refugjatët, Edi Rama tregon se në çdo rrethanë mbetemi të gatshëm për të strehuar klandestinët që vijnë nga Afrika. Kjo sipas tij në është një gjë që vjen në përputhje me moralin tonë, por edhe traditën e mikpëritjes për njerëzit nga zonat e luftës.
“Ne nuk do të jemi asnjëherë pjesë e ndonjë plani ku refugjatët do të trajtohen si njerëz të infektuar. Ne nuk jemi në Bashkimin Europian, por duhet të jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë. As më shumë dhe as më pak. Kemi pasur më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova. Në ditët e sotme, ne kemi mirëpritur disa qindra refugjatë nga Irani, refugjatë politikë. Shqipëria është vendi ku njerëzit në rrezik gjithmonë gjejnë strehë. Ne jemi gjithashtu një vend që përfiton nga mikpritja në Gjermani, në Itali dhe Greqi, në Europë dhe Amerikë. Pra, shqiptarët asnjëherë nuk i kanë konsideruar refugjatët si rrezik apo si diçka që duhet shmangur”-shprehet Rama në një intervistë për televizionin gjerman ZDF.
Nuk dihet se çfarë ka ndikuar që kryeministri bën një kthesë kaq të fortë për çështjen e emigrantëve. Edhe pse Europa ka refuzuar planin për qendra pritje jashtë kufijve të saj, refuzimi për hapjen e negociatave duket se ia ka bërë të nevojshme kryeministrit të shfaqet më europian se europianët, për aq kohë sa në plan të parë ka dalë sërish politika e përshtypjeve.
Add new comment