Anglia, tradita, dallimet me Kontinentin dhe sensi historik

Postuar në 20 Korrik, 2018 18:20
Intervistoi: Wodrow Wyatt

Intervista e mëposhtme sjellë me shkurtime, është dhënë nga filozofi Bertrand Russell më shumë sesa 50 vjet më parë. Ajo është pjesë e atyre që gazetari i BBC-së, Wodrow Wyatt që është edhe intervistuesi, i konsideorn trembëdhjetë dialogje që janë xhiruar në katër ditë pa parapërgatitje. Kemi shkëputur pjesën e quajtur “Anglia”, e cila përcjell mendime të Russel për historinë e Britanisë, për aktualitetin e viteve ’60, për rënien e Perandorisë dhe parashikimet për të ardhmen. Russell flet shumë për dallimet mes ishullit dhe kontinentit, për traditën dhe filozofinë europiane, sidomos atë gjermane, tema që sot janë më aktuale se asnjëherë tjetër kur Europa ndodhet në një kryqëzim të rrezikshëm.

Ajo ka disa leksione edhe për Shqipërinë përherë të parregulluar, për mënyrën sesi duhet trajtuar historia dhe trashëgimia e saj. Mjafton të kujtojmë këtu atë që thotë filozofi për emrat e rrugëve, për godinat e vjetra, që riprodhojnë traditën dhe mbajnë gjallë sensin historik. Një vërejtje kjo për marrëzinë kriminale me të cilën sot goditet për vdekje dhe me cinizëm Teatri Kombëtar, që përfaqëson për aq sa përfaqëson një pjesë të historisë së Shqipërisë.

Lordi Russell, mendoni se kemi një përzierje të drejtë të kapitalizmit me socializmin këtu në Britaninë e Madhe?

Po, mendoj se po. Për moemntin kemi një përzierje të drejtë, por nuk them se është një zgjidhje e përhershme, sepse rrethanat ndryshojnë. Prej shumë kohësh kam mendimin se kur një lloj i veçantë aktiviteti ekonomik arrin në stadin e monopolist, është mirë që të drejtohet nga shteti sesa nga sipërmarrja private dhe tani në Angli kështu ndodh, të paktën pjesërisht.

Mendoni se është mjaftueshëm e drejtë për të gjithë?

Po, e konsideroj të drejtë, në kufijtë e së mundshmes. Nuk është e drejtë në perfeksion, por nuk ka ndonjë gjë të tillë.

Cilat janë sipas jush virtutet kryesore të shoqërisë britanike?

Po do të vendosja të parë një lloj forme të kortezisë. Nuk e kam fjalën për raportet me jobritanikët, kjo është një tjetër çështje, por për raportet mes britanikëve; anglezët janë njerëzit më të sjellshëm që kam takuar ndonjëherë.

Mund ta shpjegoni pak më mirë këtë?

Po me shumë dëshirë. Nuk…nuk besoj se ndjekin dogmat e ngurta që janë aq të shpeshta në vendet e tjera. Dhe sipas meje, kjo pjesërisht ndodh falë faktit se nuk kemi patur pushtime të huaja që nga viti 1066; nuk kemi patur arsye gjatë historisë sonë që të jemi të përgjakshëm sikurse ka patur pjesa më e madhe e njerëzve në vendet e tjera.

Mendoni se anglezët kanë qenë më të aftë sesa pjesa më e madhe e popujve të tjerë në krijimin e një sistemi funksional drejtësie?

Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë tamam drejtësi. Doni të thoni ligji apo drejtësia ekonomike?

Të dyja.

Në mendimin tim, do të ishte shumë e vështirë arritja e një drejtësie të vërtetë dhe të plotë ekonomike që ndoshta nuk e dëshirueshme deri në fund. Kemi arritur afër saj, më shumë sesa mund të shpresonim dhe sigurisht shumë më afër sesa kanë shkuar vendet komuniste, ku diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është shumë më e ndjeshme sesa te ne.

Po drejtësia dhe marrëveshja e ndershme(fair dealing)?

Nuk besoj se jemi perfektë, asnjë vend nuk është; besoj se jemi në lartësinë e të tjerëve.

Po aftësia jonë për kompromis për të cilën jemi kaq krenarë?

Ndoshta është virtyti ynë më i madh. Nuk e kemi patur përherë. Nuk e kishim në ‘500-ën dhe pasojat kanë qenë të dhimbshme. Por në vitin 1688 adoptuam sistemin e kompromisit që ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer.

P.sh në kohën e Revolucionit Francez i pyesnin aristokratët francezë:

“Preferoni të hiqni dorë nga privilegjet tuaja, apo t’ju presim kokën?”

“Na prisni kokën natyrisht”, përgjigjeshin dhe ua prisnin. Ndërkohë që në Angli Reforma Bill e prezantuar në Parlament në vitin 1832 përfshinte edhe heqjen dorë prej aristokracisë nga privilegjet. Vetë gjyshi im, shumë aristocrat, prezantoi ligjin dhe e miratoi.

Lordi John Russell?

Po. Dhe besoj se mund t’ia dedikoj atij faktin që e kam akoma kokën mbi shpatulla.

Ku qëndron dallimi mes sjelljes sonë dhe asaj kontinentale?

Sjellja kontinentale(e njerëzve në Europë) është shumë më e ngurtë. Jam për këtë, apo për atë dhe jo për një përshtatje të mundshme mes të të dyja pikave. Mund t’ju jap një shembull në lëmin filozofik. Dikur jetoja në Princeton në SHBA, ku jetonte edhe Einstein. Një herë në javë shkoja në shtëpinë e tij ku takohesha me të tjerë intelektualë të shquar gjermanë. Ishin të gjithë hebrenj, të gjithë azilantë nga Gjermania dhe kundërshtarë të regjimit nazist dhe liberalë në maksimum. Diskutonim për çështje themelore të filozofisë me dëshirën më të madhe për të rënë dakord, nuk kishte asgjë luftarake te ne. por përherë, kur mbërrinim në thelbin e çështjes krijohej një hon që nuk mund të mbushej. Ata mbështesnin një lloj idealizmi mistik dhe unë një empirizëm kokëfortë dhe kështu nuk mund të gjendej një pikë takimi.

E konsideroni veten pjesë të traditës britanike?

Oh, padyshim. Shikoni, tradita britanike rrjedh mbi të gjitha nga Locke; Locke ka nënshtruar tre filozofët e mëdhenj britanikë. Kur isha i ri, universitetet britanike ishin pushtuar nga idealizmi gjerman, por kur gjermanët pushtuan Belgjikën, u vendos që edhe filozofia gjermane ishte e keqe. Dhe kështu më takoi mua, sepse kam qenë përherë kundër filozofisë gjermane.

Ndiheni britanik?

Po, sigurisht dhe absolutisht i traditës.

Mendoni se tradita ka patur një rol të madh në aftësinë britanike për të qëndruar në një botë të arsyeshme dhe stabël?

Po mendoj. Mendoj…mendoj se tradita është në shijet tona, veçse në mos pastë dëmtuar në mënyrë shumë të qartë. Le të marrim p.sh çështjen e emrave të rrugëve. Në të gjitha vendet kontinentale që njoh, një herë në kaq kohë i ndryshojnë emrat e rrugëve sepse ka ndryshuar politika e tyre dhe sepse nuk i admirojnë më njerëzit e mëdhenj që dikur i donin. Nëse do të ishim si kontinentalët, do ta rrëzonim kolonën e dukës së Jorkut sepse nuk e admirojmë më atë.

Për cilat gjëra të tjera mendoni kur flisni për traditën?

Për shumë mënyra të vepruari. Frazat që njerëzit përdorin në gjykata apo kur i drejtohen dikujt në Parlament: copëza tradite të cilat pjesa më e madhe e anglezëve i do shumë dhe nuk do që të zhduken.

Po ai institucioni karakteristik ku jeni anëtar, Dhoma e Lordëve?

E di, Dhoma e Lordëve është karakteristike. Nuk do dija nga t’ia filloja për ta mbrojtur sepse është e çuditshme, por më pëlqen shumë gjithësesi.

Po monarkia? Besoni se ka një vend të rëndësishëm?

Po, jam shumë në favor të monarkisë. Kur nuk ekziston monarkia, duhet një president dhe është një lodhje e madhe të zgjedhësh dikë. Aq më tepër kur nuk i pëlqen askujt, ose thuajse askujt. Por një monark mund ta gjejmë sipas gustos sonë dhe është i preferueshëm. Mua më pëlqen shumë më tepër.

Keni patur përherë respekt për monarkinë?

Oh, po, qysh nga mosha më e hershme. Kur isha dy vjeç, mbretëresha Viktoria vizitoi prindërit e mi që mbetën shumë të befasuar nga respekti me të cilin u solla ndaj saj.

Po historia? Mendoni se në Britaninë e Madhe sensi i historisë pjesërisht vjen nga monarkia?

Nuk e di se deri në ç’pikë, sepse sensi historik ekziston përherë edhe te njerëzit që janë kundër monarkisë. Në literaturën e Roundheads të kohëve të luftës civile britanike, që konsideronin aristokracinë normane dhe të huaj, gjejmë provat e lidhjes së tyre me historinë edhe pse ishin revolucionarë.

Sipas jush, a është e rëndësishme për një komb, të ketë sens historik?

Po, e konsideroj të një rëndësie të jashtëzakonshme; jep stabilitet dhe thellësi mendimi e ndjenjash.

Mendoni se ne e kemi?

Kemi shumë, në Angli po. Dhe sigurisht që inkurajohet nga ekzistenca e godinave të vjetra, e ekzistencës së rrënojave romake dhe gjërave të tjera. Në këtë vend shumë gjëra mbajnë gjallë sensin historik dhe jam i kënaqur që është kështu.

Jeni i mendimit se Britania e Madhe është një nga vendet më snobe në botë?

Oh, patjetër. Por jo më snobi. Kam hasur një përmasë snobizmi(snobbery) në hemisferën perëndimore dhe më është dukur se ishte më e madhe sesa kjo e jona. Por sigurisht që këtu te ne ka shumë. Shumë fare.

Mendoni se është një gjë e dëmshme?

Po në një farë mënyre. Bën mirë dhe keq. Dua të them, deri sa njerëzit që snobi admiron janë më të mirë se ai, bën mirë; nëse është vetëm konvensionalisht më I mirë, bën keq.

***

Mendoni se Amerika mund të bëhet si Britania e Madhe?

Jo dhe për arsye të ndryshme. Më e rëndësishmja është se raporti i amerikanëve të prejardhjes britanke pakësohet vazhdimisht. Por përveç kësaj arsyeje, ka shumë të tjera. Njëra është se Amerika nuk ka në të shkuarën e vet rrënjë si ato të shumë vendeve europiane. Një tjetër është se emigrantët anglezë në Amerikë në fillim, ishin pikërisht ata që nuk e duronin dashurinë e britanikëve për kompromisin. Ishin ekstremistë që nuk mund ta duronin dhe që formuan një mentalitet të ndryshëm nga yni. Një tjetër arsye është se kolonët e parë u detyruan të luftojnë vazhdimisht indianët dhe kjo provokoi një lloj tensioni.

Sjellja jonë demokratike është një fakt historik apo varet nga temperamenti, klima apo diçka tjetër?

Besoj se është mbi të gjitha një çështje historike dhe elementi më i rëndësishëm ndoshta është fakti se që nga viti 1066 nuk kemi pësuar pushtime të huaja. Të gjitha vendet e kontinentit praktikisht janë pushtuar nga pushtues të huaj dhe këta të fundit kanë një efekt shumë të keq në mentalitetin e popujve të nënshtruar.

***

Besoni se klasat e larta britanike kanë vazhduar të bëjnë kompromise me synim ruajtjen e privilegjeve të tyre?

Besoj se po. Për të shmangur revolucionet dhe prerjen e kokës dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Kanë kuptuar se do të ndodhte kjo gjë nëse nuk veprojnë në mënyrën e duhur.

Besoni se po e bëjnë ende këtë gjë?

Oh, patjetër.

Besoni se fakti që Britania e Madhe nuk është më një nga fuqitë me të vërtetë të mëdha ka shumë rëndësi?

Është e kuptueshme se ndihesh keq. Dua të them se kam ndjenja patriotike normale dhe në këtë kuptim një gjë e tillë nuk më pëlqen. Por kur përpiqem të mendoj në mënyrë impersonale, më duket se nuk ka ndonjë rëndësi.

Pse mendoni kështu?

Më duket se virtytet karakteristike britanike janë demonstruar më shumë në vendin tonë sesa jashtë dhe nuk e di nëse kemi qenë shumë më të mirë sesa të tjerët në raportet tona me popujt e nënshtruar. Kjo është një arsye. Një tjetër është se ndoshta duhet që përherë të ketë kombe më të fuqishëm se të tjerët.

Mendoni se ata që janë bërë më të fuqishëm se ne do të dinë të sillen më mirë?

Jo nuk e besoj. Shpresoj që Amerika t’ia dalë ta bëjë më mirë sesa ne. por nuk besoj se mundet.

Si e shihni të ardhmen e Britanisë së Madhe?

E shoh të ardhmen e Britanisë së Madhe në analogji me atë që ka ndodhur në Hollandë. Në shekullin e 17-të, Hollanda ishte një fuqi e madhe dhe në një moment pushoi së qeni e tillë por pa pësuar ndonjë katastrofë të vëeçantë dhe u sistemua shumë mirë, si një fuqi e dorës së dytë, shumë e qytetëruar dhe shumë e respektuar. Sipas meje këtë duhet të shpresojmë të na ndodhë edhe neve.

*Përkthimi me shkurtime nga italishtja(botim I Longanesi&C) dhe titulli nga ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.