Kroacia në finalen e Botërorit të Rusisë
Kroacia ka regjistruar sot më 11 korrik 2018 arritjen ndoshta më të madhe në historinë e futbollit të Ballkanit duke shkuar në finale e Botërorit që zhvillohet në Rusi.
Me një rezultat fina 2:1 ajo ka çuar në shtëpi ekipin e Anglisë duke konfirmuar një frymë skuadre, energji dhe vullnet që pak skuadra e kanë. Ndonëse pa yjet e brezit të Davor Shuker dhe Boban, ekipi kroat arrin në këtë rezultat me meritë të plotë duke mos marrë asnjë fitore aksidentale. Të paktën në dy ndeshjet e fundit, atë me Rusinë dhe sot me Anglinë, kroatët të drejtuar Manzukiç, Modriç dhe Perisiç, kanë dëshmuar një futboll të nivelit të lartë, një kontroll topi thuajse perfekt, qarkullim të tij, fantazi dhe teknikë në finalizim.
Anglia e nisi mirë me një gol në minutën e pestë të Trippier, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1:0. Por në minutën e 68 Perishic zhvirgjëron portën angleze për të mbyllur kohën e rregullt në barazim. Shtesa foli për kroatët të cilët rrezikuan disa herë për të marrë një gol të realizuar me pasim të saktë për Mandzukiç që në minutën e 109 u dha anglezëve biletën e kthimit.
Kroacia shkon në finalen e Botërorit dhe aty është tanimë edhe një pjesë e historisë së futbollit ballkanik, që duket se është një shkallë më lart sesa arrtitja e ekipit grek në Europianin e vitit 2004. Përballë është Franca e cila është padiskutim ekipi më i kompletuar i këtij Botërori, fizikisht dhe taktikisht, një ekip që ka shumë vetëbesim. Në çdo rast finalja është vetëm një ndeshje dhe aty mund të ndodhë çdo gjë. Do të ishte diçka e bukur që kupa e Botës të vinte në Ballkan, ku yjet e futbollit nuk kanë munguar, as edhe dashuria për këtë lojë e cila nuk ka më dominimin e askujt.
Add new comment