Ekspertja e OSBE-së: AMA është e ndikuar politikisht
Mirella Marchese, eksperte e OSBE/ODHIR-it është përplasur këtë të mërkurë me kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Genti Sala për shkak të disa konkluzioneve të nxjerra nga OSBE-ja se AMA është e ndikuar politikisht.
Në fjalën e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore këtë të mërkurë, Mirella Marchese u shpreh: “Autoriteti i Medias Audiovizive është autoriteti rregullator i sektorit të transmetimit. Puna e AMA-s konsiderohet të ketë qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të aktorëve politikë në vend. Vendimmarrja e AMA-s është ndikuar nga mungesa e kuorumit për shkak të një ngërçi politik. OSBE-ja rekomandon që anëtarët e AMA-s duhet të emërohen në një mënyrë të tillë që garanton pavarësinë e influencave politike”.
Këtu Marchese mori disa formula se si të bëhet përzgjedhja, ku një ndër to ishte formula e Francës. Por në momentin e parë që iu dha mundësia, kryetari i AMA-s, Gentian Sala, reagoi ashpër ndaj kritikave të ekspertes së OSBE/ODHIR.
Në fjalën e tij Sala u shpreh: “Influenca politike nuk ka dhe nuk ka pasur. Unë nuk e di se nga cili rast keni marr shkas ju që keni dalë në këtë përfundim. Unë minimalisht pres një email nga ju që të më adresoni rastet se kur ka pasur ndikime politike. Por të thuash që në Shqipëri emërimi i anëtarëve të AMA-s të bëhet duke përdorur formulën e Francës, kjo do të thotë që t’i dorëzoni politikës autoritetin e medias audiovizive. Kjo tregon se ju s’e keni idenë se si funksionon shteti shqiptar”.
Ndërsa bashkëkryetari i Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, u shpreh se ka edhe raste kur AMA është nën ndikimin e pronarëve të medias, të cilët janë nën ndikimin politik.
Add new comment