Teatri Kombëtar, ose etapa e dytë e luftës ndaj klanit Veliaj-Xhafaj

Postuar në 20 Qershor, 2018 11:37

Ajo që po ndodh së fundmi me Teatrin Kombëtar mund të kuptohet më mirë në kompleksitetin e vet nëse shohim edhe aspektin politik të çështjes, përpos atij financiar dhe social. Dhe në këtë aspekt, do të duhet të lexojmë lojën e kryeministrit Rama, i cili vazhdon me debatin për Teatrin, goditjen ndaj klanit kundërshtar në Partinë Socialiste të drejtuar nga treshja, Veliaj-Xhafa-Ruçi.

Duhet të pranojmë qysh në fillim se z. Rama e ka aq të zhvilluar shqisën politike sa të parashikojë se ndërhyrja për një godinë të re për Tk do të prodhonte reagime. Dhe këto reagime do të vinin edhe sikur ai të kishte me vete-siç e ka aktualisht- pjesën më të madhe të Partisë Demokratike. Ndaj është e qartë se në këtë nismë, kryeministri e ka në tryezë opsionin e tërheqjes nga gara. Duke bërë atë mea culpan e zakonshme që u thotë të gjithëve se ai nuk e humbet kurrë zërin e arsyes.

Aspekti politik i kësaj loje, mund të kuptohet nëse shtysat për Teatrin do t’i lidhim me një proces politik pararendës me të: goditjen alla Babale ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. I vënë nën furinë e sulmit të qepur trashë nga opozita, z. Xhafa e pa veten për një moment të izoluar në PS dhe në qeveri nga heshtja e një kryeministri që nuk e përtypi mirë lojën mediatike të ministri në rastin e drogës së Maminasit. U bë e qartë gjatë ditëve kur zhvillohej skenari kundër Xhafës se z. Rama, njësoj si në ditët e para të çështje Doshi-Meta, apo të çështjes Tahiri, priti të shikonte nga do anonte kahu i opinionit për të marrë qëndrim. Z. Xhafa e kaloi për momentin situatën ku e vuri atë z. Rama me PD-në e Lulëzim Bashës, me mbështetjen e ndoshta kërkesën e fortë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Z. Veliaj hyn në ekuacionin e tanishëm politik pasi ai ka bërë një gabim të cilin z. Rama duket se nuk ja fala dot. Në mbarim të mandatit të parë qeverisës të social-rilindasve, thuhet se z. Veliaj nisi fushatën e lobimit për garën e ardhshme për kryetar të PS-së. Ai kontaktoi ministra të larguar nga Rama, njerëz që kishin patur fërkime me Tahirin, duke shprehur hapur ambicien për kryetar. Ky nxitim krijoi përshtypjen e atij që përgatit funeralin dhe kërkon testamentin ndërkohë që personi është ende gjallë. Sigurisht në këtë lojë ka edhe interesa të tjera, por pika e tensionit mes z. Veliaj dhe mentorit të tij, ishte kujtesa që nxënësi i bëri padronit për rotacionin e brezave. Mesa duket z. Rama nuk është ende gati të lërë dyqanin e tij.

Me dëmtimin e Xhafës, hapej mundësia për goditjen e dytë, atë ndaj Veliajt. Pas një mungese të gjatë, z. Rama bëri një lëvizje prej peshkatari kur në një takim në Tiranë, la të kuptohej se z. Veliaj do të kandidonte për një mandat të dytë në Bashki. Mesazhi i Ramës ishte kuptimplotë në kontesktin e një thashethemi të tjerrur shumë, që origjinon në rrethin e ngushtë të Blendi Klosit, një rival i vetëimagjinuar i z. Veliaj, sipas të cilit, Rama do ta shiste Bashkinë e Tiranës te PD-ja me synim shpëtimin e karrierës së Bashës dhe dakordësimin për një bashkëqeverisje. Kishte funksionuar edhe më parë. Duket se kryebashkiaku i Tiranës nuk e gëlltiti mirë karremin pasi në asnjë rast nuk pranoi se kishte të sigurtë rikandidimin. Çështja e Teatrit është mundësia perfekte për të dëmtuar z. Veliaj përmes një protagonizmi të detyruar që z. Rama po i kërkon atij. PD-ja ka në këtë kuadër ofertën e hapur politike të Ramës: godisni Veliajn që të ketë kuptim pazari për zgjedhjet lokale.

Siç mund të pritej ky i fundit e pranoi sfidën e detyrueshme për të duke bërë atë që di të bëjë më mirë: të shpallet si tribun i të drejtave të qytetarëve. Të kërkojë imponimin e krahëve të polarizuar ku ai përherë është nga e mira. Është një lojë që nuk ngjit dhe këtë z. Rama e ka parashikuar, qëkurse në vitin 2002 hoqi në kurriz skemën që sot po ndjek vetë ndaj çiarkut të tij në Bashki. Asokohe kundër z. Rama, një person që nuk i fshihte qëllimet politike maksimaliste, befas u përqendrua e gjithë axhenda e opozitës së drejtuar nga Sali Berisha, i cili e shpalli Edi Ramën lavatriçen e Ballkanit për paratë e drogës. Në kontekstin e këtij sulmi dhe atij të KPD-së socialiste, ku ishin pastruar të korruptuarit e papreferuar të Nanos, Rama, në aleancë fluide me Ilir Metën, u bë objekt i një Komisioni Parlamentar Hetimor, në të cilin kundër tij luanin Sali Berisha dhe Fatos Nano.  Z. Rama e shpëtoi profili publik i tij, fakti se enturazhi i ndërtimit që e mbështeste ishte fuqizuar dhe e kishte atë njeriun e vet dhe sidomos prej faktit se paraja nuk ishte e shpërndarë si sot. Për hir të së vërtetës z. Veliaj e ka të qartë se luftën e ka shumë më të vështirë dhe se po operon në një skemë ku z. Rama është regjizor dhe kuzhinier. Ai nuk mund të mos e ketë marrë mesazhin e qartë se pas ikjes së Tahirit nga PS-ja, Rama nuk pranoi të negocionte për asnjë çast drejtimin e degës së Tiranës që ia besoi një personi të afërt me Sajmir Tahirin, Blerina Gjylametit.

Është e qartë se situata në PS është dypolare dhe është paradoksale të shohësh sot që Rama lufton kundër atyre të cilët i mbrojti në kohën kur mentori i tij, Koço Kokëdhima po kërkonte t’i spastronte me reformën e tij statutore. Nuk është e qartë se çfarë roli ka mbetur ende për Gramoz Ruçin, pasi nuk është e qartë mirë se çfarë transformimi ka pësuar baza e PS-së. Rama ka me vete kryebashkiakët, të cilët po i promovon më shumë se Veliajn, ai ka me vete qeverinë, PD-në dhe kryetarin e saj, i cili ky i fundit ka një situatë personale shumë komplekse në raport me z. Veliaj. Kjo shpjegon edhe heshtjen e Bashës për Teatrin dhe faktin se njerëz të PD-së pranë Berishës dhe kundër Bashës kanë kujtuar së fundmi se mes Xhafës dhe Veliajt ka një lidhje që përfundon te zyrab e lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës.

Ecuria e kësaj lufte shkon kah logjikës se z. Veliaj me Teatrin po merr konsumimin e parë serioz në karrierën e tij, por ndoshta edhe konfrontimin e parë. Atij po i thyhet njëra këmbë e karrierës dhe nëse ai ia del që të prishë godinën, atëherë njolla mbi të sigurisht që do të mbetet dhe përdoret.

Nuk është rastësi që kjo dinamikë sherri dhe tensionesh të një pasnjëshme, po i japin kohë ish-ministrit të Brendshëm Tahiri të dalë nga vëmendja dhe me gjasë të përgatitet për rikthimin e tij në politikë. Në formën e një gare për kreun e PS-së, apo në një formë tjetër, kjo mbetet për t’u parë. Sot Tahiri shikohet nga PS-ja si viktimë e sulmit të Berishës dhe urrejtjes së Metës dhe kjo e rifaktorizon eventualisht, ndërkohë që për z. Veliaj qarkullon perceptimi se ai “nuk ngjit”. Në fund patjetër që ndikim do të kenë edhe ato që kanë përherë: Paratë dhe interesat.

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.