Koncerti “PPP”
Një tregim i vjetër thotë se na ishte njëherë një konkurs mes dy pianistësh. Pasi dëgjoi pianistin e parë, juria ia dha çmimin të dytit. Sipas tyre, nuk kishte nevojë të dëgjonin më, pasi kush mund të ishte më keq se i pari?
E njëjta logjikë duket se aplikohet edhe për partneritetet publik-privat për të ngritur infrastrukturën me rrugë, energji, ujë, aeroporte, apo me zhvillimin e zonave të rëndësishme turistike. Në fakt, të dëgjosh të dy konkurrentët dhe të vlerësosh pikat e tyre të forta dhe të dobëta është jetësore.
Pianisti i parë është dispozita e publikut, e cila përballet me dy sfida: një problem me nxitjen (korrupsionin) dhe një problem buxheti. Problemi i nxitjes lind nga fakti se kur qeveritë prokurojnë një projekt rruge, kontraktori fitues mund t’i bjerë shkurt, sepse mban në xhep kursimet. Ai mund edhe t’i ndajë këto fitime me zyrtarët e qeverisë që mbikëqyrin kontratën. Problemi i buxhetit lind nga fakti se është e kufizuar sasia se sa një qeveri mund të marrë borxh në mënyrë të sigurt, pasi do të duhet të rrisë taksat në të ardhmen për të paguar borxhin. Si pasojë, shumë projekte të rëndësishme duhet të shtyhen.
Këtu hyn në lojë pianisti i dytë. Ta supozojmë se projekti është një autostradë e cila do të jetë me pagesë me një koncesion 20-vjeçar. Kjo duket sikur zgjidh të dy problemet e nxitësit dhe buxhetit. Kontraktori do të jetë përgjegjës për rritjen e kostove të mirëmbajtjes nëse i bie shkurt gjatë ndërtimit, çka e bën atë të kërkojë të bëjë një punë më të mirë. Ai do të ishte i nxitur gjithashtu të menaxhonte në mënyrë eficiente, pasi ai mund të mbajë kursimet. Krahas kësaj, për shkak se projekti financohet nga tarifat, ai nuk është i limituar nga kufizuesit fiskalë.
Të çlirosh një projekt nga kufizimet e buxhetit dhe borxhit publik mund të bëjë mrekulli. Rreth 73% e qytetarëve të Liberisë kanë celularë, por vetëm 9.1% kanë elektricitet. Kjo për shkak se infrastruktura e energjisë financohet kryesisht nga burime buxhetore, kurse telefonia celulare financohet në mënyrë private. Kur projektet strukturohen në mënyrë të atillë që të paguhen përmes tarifave të shërbimit, atëherë tregjet mund t’i realizojnë. Kur duhen burime buxhetore, gjërat lëvizin shumë më ngadalë.
Pra duket sikur pianisti i dytë fiton. Por jeta është më e komplikuar se tregimi, falë problemeve që mund të lindin gjatë realizimit të projektit.
Sfida e parë që një projekt duhet të adresojë është nëse është një ide e mirë. Që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje duhet një vlerësim, ose një proces para investimi, i cili mund të jetë shumë i kushtueshëm dhe rezultati mund të mos jetë më i mirë se sa një hamendësim, duke lënë shumë paqartësi.
Për shembull, në fazën e hershme të një projekti autostrade, gjeologjia për projektimin e rrugës dhe ndërtimin, sasia e trafikut të ardhshëm, impakti mjedisor dhe reagimi i publikut janë të paditur ose pjesërisht të njohur. Pjesa më e madhe e vendeve në zhvillim që njoh unë shpenzojë shumë pak para për të hartuar projekte të mira. Kur e bën sektori privat, transformimi i ideve në projekte me përfitim është shumë i vështirë për shkak të shumë vendimeve apo veprimeve të vështira për t’u koordinuar me sektorin publik.
Pra, le ta zëmë se projekti i një rruge me tarifë miratohet, një kontratë koncesioni përgatitet dhe kompanitë bëjnë oferta. Ofertuesit duhet të planifikojnë për dy faza: inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin, si dhe një fazë më të gjatë të operimit kur të ardhurat nga tarifat mblidhen për të rifituar kostot e projektit dhe për të nxjerrë fitime.
Ka plot pasiguri gjatë të dyja fazave, por veçanërisht në fazën e parë, e cila mund të zgjasë 3-7 vite në varësi të projektit. Duke marrë parasysh rreziqet e kësaj faze, tregjet kapitale kërkojnë që të financohet me më shumë kapital se sa borxh dhe të ketë një normë të brendshme të kthimit të investimit prej 18% ose më të lartë. Kur ndërtimi përfundon dhe rruga vihet në operim, risqet më të ulëta dhe të ardhurat e qëndrueshme të parave, lejojnë një financim borxhi më të madh nga një gamë më e madhe investitorësh më konservatorë, si fonde pensioni, të cilët presin një normë kthimi prej 5-7%, duke e lejuar investitorin fillestar të ketë fitime.
Pra, projekti përfshin goxha inxhinieri financiare të sofistikuar. Pothuajse gjithmonë, plane të tilla nuk mund të realizohen nëse qeveria nuk ofron garanci ndaj risqeve gjeologjike apo të trafikut. Negociimi i marrëveshjeve të tilla shpesh i shton katër vite projektit, për të arritur në fazën e ashtuquajtur të mbylljes financiare, para se të kryhet ndonjë punë fizike. Gjithashtu, ka shumë detaje që duhet të negociohen dhe mbikëqyren, të cilat shtojnë mundësitë për keqpërdorime nga zyrtarët e qeverisë.
Kjo nënkupton se as problemi i nxitësit/korrupsionit, as ai i buxhetit/borxhit publik që pianisti i dytë supozohet të eliminonte nuk largohen. Kjo do të thotë gjithashtu se ka mjaft arsye pse projektet e financuara nga privati bëhen ndjeshëm më të shtrenjta, prej kostos së lartë të kapitalit dhe pse përfundimi i tyre mund të jetë shumë, shumë më i ngadaltë. Gjithashtu, pianisti i dytë nuk plotëson as nevojën për një shtet të ndershëm dhe të aftë, në gjendje të hartojë dhe manaxhojë projekte kaq komplekse. Por kjo mund të mos jetë mënyra më e mirë për të shpërndarë kapacitetet e qeverisë.
Një alternativë është të përqendrosh rolin e sektorit privat në fazat e mëvonshme të projektit. Mënyra më e mirë mund të jetë që qeveria të ndërtojë rrugë dhe të shesë koncesione për mirëmbajtjen dhe operimin. Kjo lejon qeverinë të fitojë para dhe të riinvestojë në faza të tjera të para investimit dhe ndërtimit, duke ricikluar në këtë mënyrë kapitalit e dobët publik më shpejtë, por gjithashtu duke hequr pjesët më të shtrenjta dhe më të ngadalta të përfshirjes së privatit.
Për projekte të tjera, si zhvillimi i zonave të rëndësishme të turizmit, qeveria duhet të bëjë një para-investim domethënës nëse kërkon t’i bëjë të përfitueshëm. Rikuperimi i këtyre kostove mund të kërkojë pjesëmarrjen në projekt ose bashkëfinancimin me sektorin privat përmes një mjeti financiar, i cili gjithashtu e menaxhon projektin në emër të qeverisë.
Kjo kërkon kapacitete institucionale që shumë vende nuk i kanë dhe që komuniteti në zhvillim nuk i ka ushqyer. Por këto kapacitete mund të bëjnë një diferencë shumë të madhe. Prandaj qeveria e Shqipërisë, me ndihmën e Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit (të cilën unë e drejtoj) po planifikon të krijojë mjeti e duhur të investimit. Duke marrë parasysh për çfarë bëhet kjo, sfidat dhe vështirësitë e shumta përpara do bëjnë që t’ia vlejë. Siç do të thoshte një pianist: qëndroni të sintonizuar!
*Ricardo Hausmann është një ekspert ekonomie, aktualisht drejtori i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar pranë universitetit të Harvardit. Ai ka mbajtur në vitin 1992-1993 postin e ministrit të Planifikimit në Venezuelë. Ai ka prezantuar disa koncepte ekonomike si: mëkati fillestar, diagnozat e rritjes, vetë-shërimi, materia e zezë, hapësira e produktit dhe kompleksiteti ekonomik.
Përktheu: Angelo Haruni/SCAN
Comments
Tani po kuptoj pse USA po
Tani po kuptoj pse USA po shkon per lesh. Jane keta "specialistet".
Add new comment