A përgjigjet penalisht përfaqësuesi i besimit fetar për moskallëzim krimi?
Gazeta “Panorama”, në një artikull të saj ka trajtuar faktin se, këto kohët e fundit ka ndodhur një ngjarje që lidhet me pyetjen në trajtim: E pandehura Marjana Cmeta, akuzuar për vrasjen e vjehrrës së saj, ka shpjeguar se para një viti i kishte rrëfyer me detaje Hoxhës Hysen Shehu ngjarjen që lidhet me këtë vrasje, që nga momenti kur e ka helmuar e deri te përleshja me të për ta vrarë. Policia Gjyqësore, mbasi ka administruar të dhënat e nevojshme hetimore, që lidhen me rrëfimin e së pandehurës Cmeta para Hoxhës Shehu, sipas Rregullave Procedurale, ka kërkuar dhe është vendosur në gjendje arresti Hoxha i sipërpërmendur, në bazë të nenit 300 të Kodit Penal, për moskallëzim krimi , pasi ndonëse ai erdhi në dijeni të konsumimit të këtij krimi, nuk bëri kallëzimin penal para organeve kompetente.
Në rast se, një rrëfim i tillë do të ishte bërë para një personi të zakonshëm, pa ndonjë tagër të veçantë, ky i fundit, në zbatim të nenit 300 të Kodit Penal, në rastet “ Kur krimi është duke u kryer apo që është kryer “, ka detyrimin ligjor për ta kallëzuar atë në organet e ndjekjes penale, në Gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës “, ndryshe ai i nënshtrohet përgjegjësisë penale për moskallëzim krimi. Mosmarrja në përgjegjësi penale është e kondicionuar nga paragrafi i dytë i kësaj dispozite ligjore, që lejon përjashtimin nga detyrimi për kallëzim : “ Të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si dhe personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo të profesionit “.
Ky përjashtim, veç personave të sipërpërmendur, është shtuar edhe për persona të tjerë, të cilët sipas nenit 158 të Kodit të Procedurës Penale, si : Gjinia ose krushqia e afërt e të pandehurit përjashtohen nga detyrimi për të dëshmuar, përveç rasteve kur kanë pengesë ligjore për ta përfituar këtë të drejtë. Pa u hyrë këtyre rasteve, sepse shkrimi nuk ka si objekt këtë, do të përmendim vetëm ato raste që kanë lidhje direkte me rastin e marrë në trajtim. Sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale, dispozitë kjo që bën fjalë për ruajtjen e sekretit profesional , “ Nuk mund të detyrohen të dëshmojnë për sa dinë për shkak të profesionit, me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin që t’ua referojnë autoriteteve proceduese” : a. Përfaqësuesit e besimeve fetare, statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar etj.. Para se të bëjmë trajtimin e pyetjes së mësipërme, sqarojmë faktin se , midis personit që ka detyrimin ligjor për të bërë kallëzimin për konsumimin e një krimi nga një person tjetër apo personi që përjashtohet të bëjë dëshminë para Gjykatës, sipas neneve 158, 159 e 160 të Kodit të Procedurës Penale, në kuptimin e marrjes së tyre në përgjegjësi penale apo përjashtimit të tyre, është po i njëjti detyrim ligjor dhe po e njëjta e drejtë për ta përfituar atë. Në këtë kuptim, të moskallëzuarit apo të mosdhënies së dëshmisë para Gjykatës dhe e kundërta, kanë po të njëjtat detyrime dhe të drejta ligjore.
Ajo që mendojmë se ka nevojë të analizohet dhe sqarohet, është se si duhet kuptuar “ Me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin që t’ua referojnë autoriteteve proceduese”. Duke ju referuar germës “a” të sipërcituar, që të përjashtohen nga detyrimi për të dëshmuar si fjala vjen : Hoxha, Prifti apo personat e tjerë që përfaqësojnë besimin fetar, është konditë e domosdoshme që, “ Statutet e këtij besimi fetar të mos vijnë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar”. Që veprimtaria e tyre fetare vjen në konfirmim të plotë me rendin juridik shqiptar, është evidente, pasi statutet e tyre janë të miratuara nga ligji përkatës shqiptar. Besimi fetar dhe veprimtaria e tyre është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e ligjeve të tjera të dala në bazë e zbatim të saj. Jeta ka vërtetuar dhe vërteton për ditë se, kjo veprimtari e tyre është korrekte dhe me dinjitet. Kjo është ashiqare dhe si e tillë, nuk ka nevojë për komente. Por, problemi shtrohet marrja në përgjegjësi penale e Hoxhës Shehu dhe arrestimi i tij, a janë në konformitet me bazën ligjore të mësipërme apo tejkalim të saj. Mendoj se, në këtë rast nuk kemi një interpretim të drejtë ligjor nga ana e organit të akuzës. Kjo, për faktet se : Së pari, rrëfimi që ka bërë e pandehura e mësipërme para Hoxhës Shehu nuk ka karakter kriminal, për këtë të fundit. Ajo i është drejtuar atij personi si përfaqë- sues i besimit fetar të tyre dhe, jo si Hysen Shehu.
Në anën tjetër, dhe Hysen Shehu e ka pritur për rrëfim atë si Hoxhë, dhe jo si Hysen. Me një fjalë, veprimtaria e tij përputhet me rregullat që caktohen në statutin e besimit të tij fetar. Veç kësaj, duhet thënë se, besimtarët nga besimi që kanë dhe ruajnë për Zotin, si dhe përfaqë- suesit e tyre fetarë, u drejtohen këtyre njerëzve për t’iu rrëfyer veprimet që kanë kryer apo do të kryejnë, duke u nisur nga mendimi se është një detyrim i besimit fetar, si për atë që rrëfehet ashtu dhe për atë që pret rrëfimin. Një veprim i tillë nuk është vetëm i sotëm, përkundrazi, ai ka qenë edhe më parë, që me krijimin e besimeve fetare. Në këto kushte, veprimtaria e Hoxhë Hysen Shehut ka qenë dhe është ligjore. Ai ka zbatuar drejt detyrimet fetare. Së dyti, a duhej që për këtë rrëfim që iu bë Hoxhës Hysen Shehu nga e pandehura e mësipërme, Ai, të bënte kallëzimin në organet e përmendura më sipër ?. Këtu qëndron debati. Nëse këtë e trajtojmë në këndvështrimin e interesit të anës penale, pa e lidhur këtë me interesin e detyrimeve të besimit fetar, natyrisht përgjigjja është në favor të anës penale.
Por kjo do të ishte në dëm të interesit të besimit fetar, pasi shkelet respektimi i besimit fetar te të besuarit e tij. Mungesa e besimit të besimtarëve për përfaqësuesit e besimit fetar do të minonte dhe do të binte në kundërshtim me statusin e atij besimi fetar, pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo të justifikuar. Në anën tjetër, personi që pranon rrëfimin, duke bërë kallëzim penal ndaj personit që bën rrëfimin, do të përjashtonte korrektësinë e tij fetare. Marrëdhënia që krijohet midis përfaqësuesit fetar dhe personit që bën rrëfimin, është konfidenciale, sekrete, pasi ajo bëhet para përfaqësuesit fetar dhe jo para një personi tjetër pa këtë cilësi. Në këtë rast, rrëfyesi ka besim absolut se rrëfimi jo vetëm mbahet sekret, por ai, ndërkohë, në ndërgjegjen e tij mendon se veprimi i tij kryhet para të dërguarit të Zotit. Është pikërisht ky mendim e siguri në vetvete që e bën atë të rrëfejë, siç thuhet popullorçe, “ edhe zorrët e barkut “ te përfaqësuesi i besimit fetar. Një rrethanë e tillë e krijuar, veç të tjerave, sigurisht nuk kalon pa një vëmendje të veçantë të Hoxhës apo të përfaqësuesit të besimit fetar.
Rrëfimi e tërheq apo e bën për vete atë, ai jeton me të !. Së treti, rrëfimi në tërësi ka kuptimin si një e drejtë dhe detyrim i personit që bën rrëfimin para përfaqësuesit fetar, por edhe për të “ larë “ gjynahun që ka bërë rrëfyesi ose për t’u shfajësuar për veprimin që do të bëjë në të ardhmen , i ndodhur në kushte të pamundura për të dalë nga kjo situatë e krijuar për të. Rrëfimi në vetvete, si për bërësin e tij ashtu dhe për personin që pret këtë rrëfim, ka karakter sekret. Është mendimi i besimit absolut i ruajtjes së sekretit të rrëfimit që bën të mundur rrëfimin. Ndryshe nuk do të ndodheshim para kryerjes së tij. Në rrethana të tilla, përfaqësuesi i besimit fetar, faktin e konsumimit të një krimi apo që është duke u kryer nga ai personi që po i rrëfehet atij, marrjen e dijenisë mbi të, e përfiton në sajë të besimit fetar.
Rregullat fetare, a mund t’ia lejojnë atij të veprojë jashtë tyre ? Përgjigjja, sigurisht është jo. Ai ka detyrimin që të ndikojë pozitivisht te personi rrëfyes për të kallëzuar vetë ai në organet kompetente kur e ka kryer krimin ose kur nuk e ka kryer akoma, ta bindë atë për të hequr dorë nga kryerja e tij. Ky detyrim i tij nuk është vetëm rrjedhojë e anës fetare, por edhe ligjore. Të vepruarit prej tij në këtë mënyrë lartëson më tepër figurën e tij, ndërkohë edhe mund të mënjanojë mundësinë e kryerjes së krimit nga personi rrëfyes. Incizimi i bërë në rastin në fjalë prej tij ka qenë abuzues, si në pikëpamje ligjore ashtu dhe fetare, pavarësisht se ky incizim ka ndihmuar procesin penal. Ndërkohë, theksojmë faktin që ligjvënësi në drejtim të rasteve të përjashtimit nga përgjegjësia penale, nuk është treguar korrekt, mbasi ka bërë diferencime.
Ai nuk mban të njëjtin qëndrim me kategorinë e personave të tjerë që i përjashton nga detyrimi ligjor për të kallëzuar apo dëshmuar para Gjykatës, për shkak të marrëdhënieve familjare, gjinie apo krushqie etj., me personin e të pandehurit, me qëllim për të ruajtur unitetin familjar apo të krushqisë. Mendoj se, edhe ruajtja e unitetit të besimit fetar, nuk është i vogël apo më pak i rëndësishëm. Këto dy unitete ecin, shkojnë në mënyrë paralele me njëra – tjetrën, si dhe i shërbejnë rendit juridik e personalitetit të shtetit. Nga sa më sipër, mendojmë se organi i akuzës nuk duhet të operojë me të dhë- na të sforcuara, duke i rënë shkurt, për të ndriçuar procesin penal. Kjo, për faktin se ai disponon të gjitha mundësitë ligjore për të realizuar një proces të rregullt ligjor, duke siguruar ndërkohë zbulimin e së vërtetës.
Panorama
Add new comment