Sajmir Tahiri apo Europa?
Negociatat me BE-në e kanë vënë qeverinë shqiptare në pozitat e një pafuqie, apo mungese dëshire për të informuar saktë dhe drejt opinionin për atë që po ndodh. Sigurisht rekomandimi i Komisionit është një hap pozitiv dhe vlerësues, por mendimi dhe qëndrimi i vendeve si Gjermania është kryesor dhe përcaktues.
Për këtë arsye vizita e kryeministrit Edi Rama në Berlin ka shumë rëndësi për të kuptuar vendimin e muajit qershor. Mirëpo në televizionin e tij, apo në mediat që kontrollon(tashmë ka lajme se z. Rama po do të shpërndajë me dy televizionet kombëtare, Tv Klan dhe Top Channel edhe paratë e taksave tona, ndaj togfjalëshi Mediat e Tij ka vlerë reale) z. Rama ka vendosur të censurojë atë që ka ndodhur me të vërtetë në Berlin, kur nga pala gjermane, e madje socialdemokratët i kanë kërkuar gjykimin e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, si provë e funksionimit të drejtësisë.
Kjo kërkesë ka shumë rëndësi jo pse kënaq dëshirat e dikujt, apo pse plotëson pritmëritë për një kokë turku, por sepse na jep të kuptojmë se vendet e Europës, e ato më kryesoret dinë të ndajnë propagandën nga realiteti i një drejtësie që funksionon. Se ato nuk e besojnë më versionin zyrtar të qeverisë shqiptare. Kërkesa eksplicite e Michael Roth për Tahirin, reflekton informim të saktë nga ambasada në Tiranë dhe i jep një shuplakë të fortë edhe selisë diplomatike të BE-së që ka mbajtur heshtje për këtë çështje.
Nëse z. Rama nuk e përgënjeshtron lajmin në fjalë që është shpërndarë nga agjencia shtetërore gjermane, atëherë ai ka detyrimin që të informojë qytetarët shqiptarë për atë që po ndodh. Sot qeveria e tij ndodhet përballë një sfide që na kushton të gjithëve: ai duhet të zgjedhë mes Europës dhe Sajmir Tahirit, gjykimi i të cilit po vihet si kusht.
Nuk ka më asnjë spekullim mbi këtë çështje. As alibi dhe argument që ta mbulojë. Z. Rama i kërkohet të lërë drejtësinë të veprojë dhe ka rëndësi të posaçme pse kjo gjë i kërkohet pikërisht Atij. Për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së nuk ka më as kërcënime ruse dhe islamike, as njollosje nga opozita. Sot ka vetëm një kërkesë: drejtësi për të gjithë. Drejtësi reale.
Nëse z. Rama synon me të vërtetë shteformimin siç deklaron, ka rastin ta dëshmojë me një shenjë vullneti që do të rrzojë edhe spekullimet e shumta që bëhen për raportin e tij me z. Tahiri. Dhe ka rastin të dëshmojë po kështu sesa e beson edhe devizën që shpiku për vizitën e tij në Gjermani ku tha se “feja e shqiptarëve është Evropa”.
Kemi të drejtë të pyesim meqenëse pranë tij në këtë vizitë ishte Taulant Balla, i njohur për devizën: Partia para Shqipërisë.
Kush do të peshojë pra më shumë: Tahiri, partia, apo Shqipëria?
Add new comment