Europë e pamëshirshme apo Europë strategjike?

Postuar në 19 Prill, 2018 14:44

Shqipëria përfitoi një rekomandim nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave me BE-në për anëtarësim të plotë. Njoftimin e dha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili doli në një konferencë për shtyp pa pranuar asnjë pyetje. Si zakonisht në kërkim të dafinave të një fitoreje inekzistente, por që bazohet mbi realitetin që shpik gënjeshtra. Ka dy apo tri ditë që vazhdon një debat i paqenë mbi faktin se pse opozita nuk është gëzuar për hapjen e negociatave, kur në fakt, progres raporti duhej analizuar në hollësi dhe në mënyrë kritike. 

Z. Rama deklaroi se “Europa është e pamëshirshme” apo se ajo nuk të fal gjë. Ky përkufizim që i atribuon Europës një natyrë thuajse dogmatike në ndjekjen e standardeve është një eufemizëm për të thënë se “ne e merituam çdo gjë”.

Në fakt nuk është kështu. Europa e pamëshirshme ka disa vite që nuk e di çfarë do. Madje kjo Europë nuk është në gjendje të gjejë konsensusin edhe për përkufizimin e kufijve të vet. Është kjo Europë që nuk arrin dot ta quajë Shqipërinë dhe fqinjët e saj, ashtu siç i quante ta zëmë edhe Faik Konica para disa dekadave: Europë Juglindore, por ka shtënë në punë një term tëhuajëzues që i shërben më mirë inkastrimit të imagjinatës kolektive apo perceptimit të qytetarëve perëndimorë në të shkuarën: Ballkan Perëndimor.

Dhe është ky kryeministër që deri disa muaj më parë, nuk pushonte së këshilluari Europën që të tregohej strategjike, pra të hiqte dorë nga taktikat e vockla.

Zotërisë pak i intereson e vërteta. Më shumë i duhen fitoret e momentit, edhe pse këshillon për strategji. Por këto janë deklarime dhe sjellje të shënuara që na bëjnë të kuptojmë të paktën një gjë: nevoja për konsensusin e përditshëm, nevoja për të stukuar me racionalizëm dështimet dhe iraacionalitetin që rrjedh nga një korrupsion i pamatshëm, prodhon gënjeshtrën e përditshme për të cilën nuk është çudi fare që kjo qeveri ta lusë në formën e njohu biblike: Zot, gënjeshtrën e përditshme falna sot.

Sigurisht që qeveria e tanishme e ka të sinqertë vokacionin europian. Patjetër që ministrat dhe kryeministri vetë e dëshiron me të vërtetë anëtarësimin në BE, hyrjen e Shqipërisë në Europë, ikjen e saj nga një e shkuar që është stigmatizuar deri sa të konsiderohet një epokë e errët, por dëshira nuk përputhet me veprat.

Europa na ka bërë një dhuratë, një nga ato dhuratat si të danajve. Për hall dhe interes të vet, paçka se z. Rama po kërkon të na e shesë atë si dhuratë apo si çmim të merituar. Ne e dimë, e ndjejmë, e shohim dhe e prekim të gjithë se ne nuk jetojmë në Europë. E konstatojmë këtë sa herë kalojmë kufirin, si marrim shërbimin jashtë dhe si zhvatemi përditë brenda. Ndoshta këtë dhuratë na e kanë bërë për disponimin e verbër që kemi prej dy dekadash e gjysmë për Perëndimin dhe çdo gjë që vjen prej andej. Por kjo e vërtetë deformohet te dështimi i qeverisjes, te korrupsioni dhe sidomos të cinizmi i festimeve që organizohen dhe menaxhohen nga një klub politik.

Z. Rama dhe në mënyrë edhe më antipatike, manari i tij në Bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, kanë bërë thirrje për bashkim. Është pak e çuditshme të ftosh sot opozitën, Partinë Demokratike për bashkim, sepse nga njëra anë pazari i ka bashkuar prej kohësh, por nga ana tjetër, PD-ja dhe njerëzit e saj shfaqen përditë nga socialistët si gogoli i vetingut dhe si objektivi i reformës.

Z. Rama ndoshta duhet t’i bënte thirrje opozitës së vërtetë për bashkim që mishërohet te shqiptarët që ikin, që duan të lënë vendin dhe që në Shqipëri u është vënë në pikëpyetje edhe mbijetesa. Atë opozitë për të cilën flet kryeministri e ka në xhep e madje e ka edhe për argëtim javor.

Nuk ka mënyrë më të keqe dhe të pabesë sesa kjo që po shohim për të celebruar hapjen e negociatave që njësoj si anëtarësimi në NATO po përjetohen si festë, kur ato janë një sukses me kushtin thelbësor të detyrimit për të përmbushur standarde të vërteta. Për drejtësinë, pronën, ligjin dhe transparencën, të cilat z. Rama nuk ja ka shumë qejfi t’i dëgjojë përtej teatrit të bashkëqeverisjes dixhitale.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.