Bashën e dëgjuam, Fleckenstein çfarë ka thënë?!
Situata e krijuar pas arrestimit dhe më pas lirimit të disa prej protestuesve për tarifën e Rrugës së Kombit sipas Lulzim Bashës përforcoi bindjen e opozitës se Edi Rama po instalon një regjim autokrat në Shqipëri.
Të paktën kjo është ajo që lihet të kuptohet në deklaratën e zyrës për shtyp të Partisë Demokratike pas takimit që Lulzim Basha pati më raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. Ndaj dhe sipas tij refuzimi për hapjen e negociatave nuk është ajo që Partia Demokratike dëshiron pasi qëndrimi jashtë Europës favorizon sistemin kleptokratik të kryeministrit.
“Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demorkatike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai e siguroi Fleckenstein se opozita do të jetë në krah të qytetarëve në çdo protestë”-thuhet në njoftim.
Ajo që mungon në deklaratën e Partisë Demokratike është qëndrimi që zyrtari europian ka mbajtur ndaj shqetësimevë të opozitës dhe argumenteve që i janë parashtruar nga zoti Basha. Njoftimi është një ripërsëritje fjalimeve që Basha mban prej tre ditësh dhe për të kuptuar më shumë PD duhet të zbardhte edhe qëndrimet e Fleckenstein nëse është ose jo dakord me tensionimin e situatës para vendimit për negociatat dhe nëse protestat mund të influencojnë në këtë drejtim.
Add new comment