Malias kritikon qëndrimin e Greqisë për Kosovën
Ish-ambasadori grek në Tiranë, Aleksandër Malias kritikon Athinën për qëndrimin e mbajtur ndaj Kosovës. Në një analizë mbi situatën e krijuar pas arrestimit të Marko Gjuriç, Malias ka thënë se Serbia ka bërë hapa kurajozë në raport me Prishtinën, madje më të guximshëm dhe të vërtetë sesa Greqia, e cila nuk është e lidhur me interesa direkte.
"Hapat e Serbisë ndaj Kosovës janë shumë më të guximshme dhe me të vërtetë se ato që Greqia nuk ka bërë në lidhje me Kosovën"-thotë Malias për CNN greek. Spas tij, Beogradi dhe Prishtina do të ulen në një tryezë në të ardhmen në Bashkimin Europian, pasi Serbia të ketë njohur Kosovën.
Kjo mund të shoqërohet edhe me një status të veçantë të Veriut të Kosovës, të banuar nga shumicë serbe. Kujtojmë që Greqia ka avancuar me njohjen e pasaportave të Kosovës dhe hapjen e një zyre diplomatike, por është një ndër 5 Shtetet e Bashkimit Europian që nuk e ka njohur pavarësinë.
Nga ana tjetër presidenti Vuçiç në një deklaratë të një dite më parë ka vlerësuar shefen për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, për reagimin e shpejtë pas arrestimit të Marko Gjuriç, ndonëse nuk ka fshehur zemërimin për favorizimin që BE po u bën shqiptarëve në këtë proces.
"Pyes përse e keni nënshkruar marrëveshjen? Përse Bashkimi Evropian nuk ia ka vënë kusht Kosovës Asociacionin e Komunave Serbe për liberalizimin e vizave. Aprovimin e statutit të asociacionit dhe jo fjalë të zbrazëta. Ata nuk duan dhe nuk ua ndjenë për serbët. Ju serbët plotësoni të gjitha e shqiptarët asgjë. Kjo është e saktë"- theksoi Vuçiç.
Add new comment