Intervista/”Termi kënetë nuk ka të bëjë me mediat, por me ngjalat”

Postuar në 10 Nëntor, 2015 21:27

Po bëhen disa herë rresht që kryeministri i Shqipërisë, sulmon, ironizon dhe stigmatizon punën e gazetarëve. Pas ankesës për keqraportim, ndoshta fshihet një shqetësim real, por edhe një alibi sipas së cilës media po deformon arritjet. Për të kuptuar diçka më shumë nga kjo patologji e re e pushtetit në Tiranë, intervistuam moderatorin e emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi.

Z. Rakipi, besoj i keni ndjekur ankesat e kryeministrit për mediat? Situatë shqetësuese ju duket, apo media vërtet po e shqetëson pushtetin?

Vështirë ta thuash se pushteti në Shqipëri ngandonjëherë bën si puna e lopës që e pickon murrjela. Dhe kur e pickon murrjela turret me vrap e nuk di nga shkon, as sheh përpara, po vetëm të shpëtojë nga sëkëlldia e madhe. Por siç e dini, lopa ka edhe bishtin që e ndihmon.

Po aludoni për “transparenca.al” dhe drejtorin e komunikimit në kryeministri?

Pse ashtu duket? Jo, doja të thosha që kafshët janë më të përgatitura nga këto siklete. Metaforë.

Meqë jemi te murrjela, ka lidhje kjo me etiketimin ‘kënetë’ që bëri kryeministri për disa media? Si të thuash një lloj konfirmimi i pavetëdijshëm i fjalës “vete gjuha ku dhemb dhembi”.

Ku ta dish. Po shiko, unë them se kjo e kënetës ndoshta e konfirmon këtë fjalën që thoni ju, por për një gjë tjetër. Ju e dini që në kënetë dhe në lagunë rriten ngjala. Dhe kryeministri ynë, ky i tanishmi, erdhi në pushtet me ndihmën e ngjalës, nëse mund të shprehemi kështu. Pra atë historinë e marrëveshjes së Lalzit me ngjala në drekë etj.. Unë mendoj se ndoshta mos e ka edhe për këtë: e ka marrë malli për ngjala prapë.

Ju e shihni si zhvillim pozitiv këtë?

Nuk ka moratorium për ngjalat me sa di unë.

Z. Rakipi ju keni shumë vite në media dhe e njihni nga afër historinë e marrëdhënies së pushtetit me median? Mes Berishës dhe Ramës, çfarë dallimi dhe ngjashmërie do të nënvizonit?

Ngjashmëria mendoj se është evidente: të dy nuk i ndahen ekranit, Facebook, shtypit etj.. Vetëm në radio nuk kanë para qejf të dalin. Sa për dallimet, mendoj se Edi Rama e nisi si polemist dhe publicist për të ardhur sot në paradoksin e dikujt që e ka frikë polemikën dhe publicistikën. Por kjo është qartë dobësi e tij themelore si drejtues qeverie. Sa për Berishën, mund të them me bindje se ai mësoi të bëhej gazetar. Madje edhe kur ishte kryeministër mua më dukej sikur fliste me idenë e lajmit aperturë.

Ju falemnderit!

Intervistoi: Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.