"Godina e Teatrit u la qëllimisht të degradonte. Kujtoni kinema "Republika" dhe "17 Nëntori"
Aktori dhe regjizori Alfred Trebicka i bashkohet zërit të artistëve të tjerë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Trebicka sjell në vëmendje jo vetëm mënyrën si po veprohet tani, por edhe shembullin e zhdukjes së dy kinemave, “17 Nëntori” dhe “Republika”, të dyja me autorësi të ideve të ngjashme të bashkëpunimit me biznesin.
Mënyra se si është bërë prezent ky projekt ka shumë pikëpyetje e lë shumë për të dyshuar në prapavijat që fshihen pas kësaj, e këtë e them duke mos dashur të përfshihem më thashetheme. Nuk dua të gjykoj në bazë fjalësh po në bazë veprimesh konkrete. Veprimet konkrete që janë bërë deri tani sa i takon pjesës së artit e kulturës, e këtu kam parasysh fatin e kinemave, “17 Nëntori” e “Republika”, nuk janë më.
Ndërkohë që në momentin kur është ndërhyrë është thënë që do bëhet një kinema me parametra evropianë. Por, sot nuk ka më kinema “17 Nëntori” as kinema “Republika”. Duke pas parasysh se çfarë ndodhi me kinematë, ke frikë, sigurisht që ke frikë.
Mendimi im është që ndërtimi, restaurimi apo bërja e ribërja e një institucioni siç është Teatri Kombëtar, apo edhe institucione të tjera si Teatri Kombëtar, të përmasave të tilla duhet të jenë plotësisht nisma dhe vepra të shtetit. Në këto nuk ka punë privati. Sepse bashkëpunimi i tillë është problematik. Në rastin konkret ky bashkëpunim do ketë këto pasoja. Nuk ka privat në botë që e bën për hobi një sipërmarrje të tillë
shprehet Trebicka.
Duke pranuar problemet e mëdha që ka godina ekzistuese, ai akuzon se ajo është lënë qëllimisht të degradojë në këtë gjendje, që mandej të propozohet zhbërja e saj.
…nuk u bë asgjë, as në infrastrukturën e brendshme të teatrit. Thuhet rëndom që Teatri Kombëtar nuk ka banjë, Teatri Kombëtar nuk ka kabina, nuk ka pasqyra, etj. Pse nuk i ka? Sepse është amortizuar godina? Jo. Ky teatri tjetër që është në krah, “Eksperimentali”, brenda mundësive e hapësirave që ka, ka krijuar një ambient që është komod e komfort për të punuar, që nga banjat, ambientet e punës, skena e të tjera me ato parametra që mundet, por ama është një vend komod për të punuar… Është lënë të degradojë edhe si ndërtesë, edhe si infrastrukturë e brendshme dhe ironia e tërë kësaj është se në këto vitet e fundit numri i spektatorëve është rritur. Pra, në një anë rritet numri i spektatorëve, e në anën tjetër, teatri duhet shembur. Kjo historia që do digjet e do bjerë është histori e vjetër, i ka dalë boja. Aty janë bërë dhe prova, në rast të rënies së zjarrit, nuk ka pas probleme. Janë bërë prova që në kohën që ka qenë gjallë i ndjeri Agim Qirjaqi
shton Trebicka.
Debati është i mbingarkuar dhe këtu në lojë duket sikur po vihet forca e pushtetit, që pretendon se ka vizion për të ardhmen e qytetit me artistët apo një pjese të medias në anën tjetër që po mbrojnë atë që e quajnë si pjesë të trashëgimisë. Duhet thënë se ndonëse ebati duhet të merrte tjetër drejtim, ai është përqendruar te një aspekt emocional që në fakt buron nga arroganca e pushtetit dhe mashtrimi që vjen prej tij, teksa nuk ka prezantuar një projekt të denjë, e bëri atë në momentin kur u ngrit zëri. Po kështu debati ka rrëshqitur në këtë situatë pasi është e vështirë të pranohet se qeveria nuk ka lekë për një teatër ndërkohë që gjen para për tjetërsimin sipas shijeve personale të njërit apo tjetrit të sheshit “Skënderbej” ku u investuan 12 milionë euro.
Add new comment