Opinioni është i Imi dhe lajmi jam Unë...
Këto ditë në Tiranë ishte ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Rudy Giuliani, një njeri i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Padyshim që një vizitë e tillë ka rëndësinë e vet të pamohueshme, sikurse ka rëndësi edhe për median dhe opinionin një intervistë me këtë personalitet. Dhe intervista u realizua në fakt nga Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. Një njeri si Giuliani ka shumë për të thënë dhe prej tij ka shumë çështje për të cilat ai mund të sqarojë opinionin shqiptar edhe për vendime të politikës për të cilat nuk flet askush. Por fatkeqësisht intervista në fjalë dështoi në këtë detyrë duke u transformuar në një bisedë në studio ku gazetari Fevziu tentoi disa herë rolin e protagonistit që jep mendime për situatat ndërkombëtare.
Më keq akoma, z. Fevziu që duket se nuk përmbahet për të barazuar numrin e pyetjeve me atë të fjalive opinionale të opinionale gjatë intervistave të veta, ka prezantuar edhe Shqipërinë aty, edhe shqiptarët, të cilëve u vendos detyra dhe detyrime.
Një çështje shumë e rëndësishme për të cilën edhe sot që flasim opinioni shqiptar nuk di gjë me siguri, është strehimi i muxhahedinëve iranianë të MEK në Tiranë. Ne nuk dimë edhe sot se cilat janë angazhimet e qeverisë shqiptare, se sa kohë do të rrinë ata, cilat janë demarshet e Iranit etj.. Dhe mbi të gjitha pse u zgjodh Shqipëria.
Z. Giuliani thotë hapur se ai ndodhet në vendin tonë pikërisht për të vizituar muxhahedinët. E në vend se për këtë çështje të hidhej dritë, gazetari në fjalë duket se zgjedh të kundërtën.
BF: Dhe cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Shqipëri?
RG: Qëllimi i vizitës time këtu qëndron tek refugjatët iranianë.
BF: Muxhahedinët.
RG: Muxhahedinët, të cilët ju i keni pranuar me shumë zemërgjerësi, në një mënyrë shumë njerëzore. Është diçka për të cilën unë kam punuar.
BF: Mendoj se ishte detyra jonë ta bënim.
RG: Më vjen mirë që e the këtë. Dhe të dyja anët e qeverisë tuaj, të dyja partitë, kanë shfaqur shumë mbështetje. Njëra parti e nisi dhe tjetra po e vazhdon. Unë jam takuar me kryeministrin dhe me ish-kryeministrin. Ata janë të dy të bashkuar në lidhje me muxhahedinët. Për t’i ndihmuar ata gjithashtu dhe për t’i rezistuar presionit të Iranit për t’i dëmtuar ata
Kjo është një pjesë nga intervista mes Giulianit dhe përfaqësuesit të një gazetarie të një lloji të ri në botë: asaj që është pjesë e vendimmarrjes politike. Sepse z. Fevizu këtu flet me atributet e një vendimmarrësi që di detyrat dhe detyrimet. Ai nuk zgjedh pyetjen, por rakordon veten me vendimet e polittikës që nënkuptohen si strategjike dhe të padiskutueshme.
Por pjesa e mëposhtme është edhe më interesante për të kuptuar sesi filli i të qenit gazetar nis e humbet e këputet në rrjedhën e vetëpërcaktimit si analist i çështjeve ndërkombëtare, përzierë aty me sjelljen kaba të “të djathtëve” të Tiranës që janë përherë republikanë amerikanë në shpirt.
BF: Unë mendoj se Obama u tregua paksa i dobët edhe në Siri dhe në vende të tjera. Ai nuk qe një njeri i fortë në politikën e jashtme.
RG: Nuk ka asnjë dyshim që ai ishte shumë i dobët në lidhje me politikën e jashtme. Ai bëri një vizë në rërë dhe deklaroi se armët bërthamore, armët kimike…
BF: Po, gabimi më i madh i Obamës ishte në Siri që solli edhe rritjen e pushtetit të Putinit.
RG: Putini e mori atë si një shenjë që ai mund ta zgjeronte më shumë pushtetin e tij në botë dhe kështu bëri. Ne i dhamë përsëri Putinit dhe Rusisë një vend në Lindjen e Mesme, kur në fakt ne i kishim larguar ata nga Lindja e Mesme që në kohën e Niksonit. Obama për mendimin tim ishte një president i tmerrshëm.
BF: Vetëm në politikën e jashtme apo edhe në atë të brendshme?
RG: Në politikën e jashtme më shumë. Sepse ai dëmtoi interesat tona kombëtare. Shiko ekonominë e Amerikës. Gjatë presidencës së tij nuk u rrit kurrë më shumë se 2%. Tani që është Trump-i, është rritur të paktën 3 ose 4%. Dhe ekonomia jonë është shumë më e fortë sot nga ç‘ka qenë në 20-25 vitet e shkuara
Megjithë respektin, por kujt i duhet se çfarë mendon Blendi Fevziu për politikën e jashtme të Obamës? Kjo pyetje shtrohet në kuptimin e një raporti të përmbysur intervistues-i intervistuar, pasi z. Fevziu në rrethana të tjera, përmes opinioneve apo intervistave ku ftohet mund të japë mendimin e vet si çdokush tjetër.
Ky është një shembull sesi një mundësi për të shpjeguar disa gjëra me rëndësi, shndërrohet në një shfaqje të përsëritur ku lajmi është moderatori. Kjo nuk ka sesi të ndodhë normalisht, pasi moderatori është në fund fare një kamarier i studios që ka caktuar menunë dhe ofron shërbimet ndaj publikut me pyetjet që bën. Askush nuk shikon drejt tij për të ndarë kohën me të. Ky është një parim pune, jo një lojë që luhet në varësi të atij që është moderator. Në këto kushte nuk është çudi që nëse Giuliani do të ftohet për herë të dytë, t’i thuhet në mes të intervistës se “nga informacionet që kam unë, presidenti Trump…”, për ta përcjellë mandej mikun e shquar edhe me ndjesinë se është edhe pak i paditur për punët e kësaj bote.
Nuk është fare çudi sepse jetojmë në Shqipëri dhe këtu banon populli më i mençur në botë. Ndaj edhe çuditë zgjasin vetëm tri ditë.
Add new comment