Karamelja që nuk hahet e "poliagjentit Lulzim Basha"
Kryeministri i Shqipërisë nuk duroi dot të qëndronte jashtë pseduolajmit se Partia Demokratike është vënë në dispozicion të financave të dyshimta ruse. Edi Rama priti prononcimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për të thënë edhe ai fjalën e vet, e cila vetëm sa kompromenton vërtetësinë e një lajmi që mbiu në një media të huaj.
Që është një mishmash financiar xhepash të errët, kjo nuk diskutohet sepse vetë mishmashi provohet edhe nga dy prononcime krejt të kundërta, në harkun e 3 muajve nga i zoti i mishmashit;
Që është një mishmash në shkelje të hapur me pasoja penale të disa ligjeve të vendit, as kjo nuk diskutohet dhe për këtë mjafton të dëgjosh qoftë edhe vetëm këto dy prononcime krejt kontradiktore;
Që është e habitshme që të gjenden disa rusë bujarë (dhe jo vetëm rusë) që të nxjerrin nga xhepat e tyre gjysëm milionë dollarë për një parti shqiptare, as kjo nuk diskutohet që e bën mishmashin edhe më skandaloz, ligjërisht e politikisht!
Por që kjo histori s’mund të mbyllet pa u zbardhur deri në fund, nëse ka apo jo, interferenca malinje forcash të huaja për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të cënimit të imazhit të Shqipërisë (drogëdrogëdrogëkrimkrimkrim), me qëllim pengimin e procesit të integrimit europian dhe destabilizimin e vendit, kjo është absolutisht e padiskutueshme
shkruan kryeministri.
I cili flet me siguri për pasoja penale pa patur asnjë tagër të vlerësojë ose jo shkeljen ligjore të PD-së. Kjo çështje nuk ka interes për të provuar nëse disa rusë kanë dhënë ca para për PD-në që kryetari i kësaj të fundit të takojë presidentin amerikan. Kjo sepse presidenti i SHBA-së informohet aq sa të dijë nëse duhet të dalë fotografi me dikë që paguhet nga shërbime të huaja. D.m.th është diçka e pabesueshme shumë që Lulzim Basha dhe ca rusë bujarë kanë përdorur Shtëpinë e Bardhë.
Ajo që ka interes këtu është mënyra sesi z. Rama kërkon të bëjë politikë me këtë çështje duke presupozuar shumicën e njerëzve si budallenj të cilëve mund t’u hedhësh kockën – në këtë rast Fjalën “Rusi”- për t’i ndërsyer ndaj rusofilit më të parë.
Kësaj politike i mungon shumë pak nga repertori i poliagjentëve që zbuloheshin çdo pesë vjet në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Dhe kjo është shumë pak e ndershme në raport me qytetarët.
Z. Rama dhe qeveria e tij, kanë të gjithë mundësitë të verifikojnë nëse pagesa ka qenë në shkelje të ligjeve shqiptare, të plotësojë çdo të dhënë, e pastaj të flasin. Por kryeministri i Shqipërisë duket se ka një hall të madh që kërkon protagonizëm në një çështje që godet një politikan me të cilin jo vetëm është në Marëveshje, por edhe në një seancë parlamentare të fundit i bëri thirrje kuptimplotë kundër Berishës dhe Ilir Metës përmes riprodhimit bajat të një copëze nga një film shqiptar: “Guri, hajde se do të na rrahin”.
Dhe sikundër ka të këto mundësi, ky zotëri ka edhe detyrimin që të përgjigjet për akuzat që i janë bërë për pagesën 80 mijë dollarë për një foto me Trump, apo për takimin e supozuar me përfaqësuesin e një kompanie ruse që është nën sanksione.
Kujt i duhet ky duel rus-antirus në sytë e SHBA-së në Tiranë? Askujt, veç nevojtarëve të përditshëm që janë politikant shqiptarë. Le të hamendësojmë për një moment sesi një parti shqiptare, PD-ja në këtë rast do të mund të çonte përpara një axhendë ruse në Shqipëri. Është shumë e vështirë, jo vetëm për shkak të disa angazhimeve strategjike, por edhe për shkak të dobësisë së saj.
Axhendat ruse në Shqipëri, ashtu siç parashtrohen nga këta zëdhënës të këtij pseudoamerikanizimi, do të kërkonin ndryshime paradigmash dhe në një vend ku politika vetëm vjedh, të akuzosh njërin apo tjetrin se është lidhur me atë apo këtë, vetëm sa bën diversion.
Ka dikush me dy pare mend në kokë të besojë se Shqipërinë e ruan nga ndikimi rus qeveria aktuale? Si mund të besohet një gjë e tillë nën një pushtet që nuk mbledh dot faturat e ujit e që i mbiu hashashi edhe në oborrin e vet?
E njëjta propagandë qesharake bëhet shpesh nga Facebook i Sali Berishës, i cili tashmë ka dalë zbuluar: sa më shumë akuzon, aq më shumë po kërkon një Pazar.
Ndaj përtej akuzave për Lulzim Bashën, i cili mund të ballafaqohet me ligjin e jo me kalemxhinj të vënë të politikës, duhet të ftillohemi për të kuptuar pazarin që po kërkohet. Z. Basha tha se 613 kg kokainë janë një sëkëlldi e madhe dhe shpikja e një investigimi me temën e preferuar ruse, është një diversion. Nuk është tezë që nuk qëndron në këmbë, sidomos kur nga qeveria dolën qëndrime kontradiktore, të cilat nëse përdorim metrin logjik të z. Rama, akuzojnë po aq shumë, sa edhe kontradiktat e deklarimeve të PD-së. Të mos harrojmë për asnjë çast se 613 kg kokainë, apo 180 milionë euro siç u tha, nëse do të akumuloheshin në ato duar që nuk dihen e të cilat qeveria e z. Rama që sot shkel pragun e prokurorisë, nuk po di t’i thotë kush janë, do të kërcëonin stabilitetin e vendit shumë më shumë sesa çdo ndikim efemer rus. Të cilin deri më sot në Shqipëri nuk e kemi parë të manifestohet gjëkundi dhe konkretisht.
Add new comment