Z. President kur do na tregoni për drekën e ngjalave në Lalëz?

Postuar në 28 Shkurt, 2018 22:40

Po qe se e keni takuar ndonjëherë Ilir Metën, kujtohuni mirë çfarë i keni thënë. Edhe po qe se i keni shkruar sms apo ndonjë letër, mirë është t’i hidhni një sy kopjes. 

Presidenti i Shqipërisë duket se ka zakon të botojë në gazeta atë që flet me njerëzit në zyrë. Duhet të ketë ndonjë emër për këta lloj personash që “ç’u ka barku u nxjerr bardhaku”. Zoti Meta këtë e ka quajtur parim të transparencës. 

Dikur tha madje se ai e takon ambasadorin e ShBA në Tiranë përherë në prani të një dëshmitari. Sot nxori zëdhënësin për t’i rrëfyer gjithë Shqipërisë se ça muhabeti ka bërë me Ditmir Bushatin. 

Edhe pse mund të duket si joserioze duhet konsideruar fat për ne që kemi në politikë këtë çamarrok që nuk rri dot pa kënduar. Që fton në tavolinë gjithë miletin për të bërë muhabetin e vetes dhe të transparencës. 

Patjetër që z. Meta në këtë huq e ndihmon edhe besimi i vet fetar. Imagjinoni për një moment sikur zotëria të ishte katolik e të rrëfehej te prifti. Apo të ishte prift e të tjerët të rrëfeheshin tek ai. Me siguri që do duheshin dy godina për teatrin kombëtar që të viheshin në skenë çuditë që mund të na tregonte Dom Iliri. 

Ne nuk kemi pse të fantazojmë për një Ilir që nuk mund të jetë. Le ta ndihmojmë në këtë maninë e vet për të hapur një vrimë si ajo e brekëve të Shukriut në perden e errët të politikës dhe t’i kërkojmë me një peticion të na zbardhë drekën e ngjalave të Lalëzit. 

Por të na e tregojë vetë se beqim na mpin mendjen e na e merr edhe votën.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.