Merkel kritika Brukselit për Ballkanin
Pas një heshtjeje të gjatë që lidhet me periudhën para dhe paszgjedhore në Gjermani, kancelarja Merkel ka kthyer sërish vëmendjen ndaj zhvillimeve në Ballkan. Për këtë ajo shfrytëzoi konferencën pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me të cilin diskutoi mbi ecurinë e bisedimeve për çështjen e emrit me Greqinë.
“Edhe sa kohë nevojitet që paratë e premtuara në kuadër të Procesit të Berlinit të ndahen e të përdoren për projektet e parashikuara në kuadër të zhvillimit ekonomik rajonal. Njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë të interesuar për fillimin e ndërtimit të kilometrave të para në infrastrukturë dhe jo për sdudimet e projekteve të mundshme”-deklaroi Merkel.
Serbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paraqitur projekte të ndryshme për zhvillimin ekonomik të rajonit, ndërsa Bashkimi Evropian ka premtuar se këto projekte do të financohen. Sa i përket bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Merkel u shpreh e kënaqur që ato po përparojnë. Ju e dini se çdo kompromis është i dhimbshëm, por është me rëndësi që ai të realizohet”, tha kancelarja gjermane.
Add new comment