Ndryshon Zona Historike e Tiranës. Qeveria zgjeron hapësirën ku lejohet ndërtimi

Postuar në 18 Shkurt, 2018 17:40

Debati I fundit që po zhvillohet për godinën e Teatrit Kombëtar ka nxjerrë në sipërfaqe edhe faktin se Zona Historike qytetit të Tiranës ka ndryshuar(Me këtë kuptohet hapësira ku nuk lejohen ndërtime të reja). Kjo është vënë në dukje disa herë nga përfaqësues të artistëve të teatrit, për të nënvizuar bazën ligjore mbi të cilën qeveria dhe Bashkia e Tiranës i kanë mundësuar vetes ndërhyrjen ndërtimore në këtë zonë. Theksojmë se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje restauruese, por për një ndërtim të ri, çka kërkon patjetër rregullime ligjore apo juridike. Dhe qeveria shqiptare duket se ka menduar për këtë. Në muajin prill të vitit 2017 Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin nr. 325 “Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të tiranës dhe  miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, i cili përcakton kufij të rinj për zonën historike të kryeqeytetit, kufinjë të rinj për zonën e Mbrojtur që qarkon të parën dhe vendos rregulla të reja për ndërhyrjet ndërtimore në to.

I njëjti akt përcakton shfuqimin e VKM nr. 180, datë 13.04 2000, “Shpallja Ansambël Monument kulture i aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”, që sanksiononte mosprekjen me ndërtime të reja të një hapësire që sot me vendimin nr. 325 quhet Zonë e Mbrojtur dhe Zonë Historike.  Po ku qëndron dallimi mes të dy vendimeve dhe mes zonës historike dhe asaj të Mbrojtur? Në vendimin 180 të vitit 2000, Këshilli i Ministrave urdhëronte prishjen e ndërtimeve të paligjshme brenda kësaj hapësire si dhe ruajtjen dhe restaurimin e elementëve përbërës të atij që quhej Ansambël Monument Kulture. Është e qartë se me prishjen e ndërtimeve që nuk ishin pjesë e tij, qeveria ndalonte edhe çdo ndërtim të mëtejshëm në këtë zonë. Këtij bllokimi i jep fund vendimi nr. 325 i vitit 2017, që e ndan zonën e aksit qendror të Tiranës në dy hapësira. Po të shikohet përshkrimi i bërë për kufijtë e Ansamblit me hartën e re të Zonës së Mbrojtur, vihet re se ato puqen thuajse plotësisht. Thjesht qeveria ka menduar që brenda Ansamblit të dikurshëm të bëjë një diferencim që është thelbësor. Dhe që sqaron pse për ndërhyrje si këto në Teatrin Kombëtar ajo është e qetë. Në VKM-në nr. 325, për atë që është Zonë Historike, e cila siç shihet në hartë është ngushtësisht bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe ai “Zogu I” përfshirë edhe stadiumin “Qemal Stafa”, i pajisur së fundmi me një kullë, nuk lejohet asnjë ndërhyrje tjetër veç atyre rehabilituese dhe restauruese. Edhe ndërhyrjet rikonstruktuese lejohen vetëm në raste fatkeqësish natyrore, ndërkohë që në Zonën e Mbrojtur lejohen ndërtime të reja.

Në nenin 9 të VKM-së nr. 325 thuhet qartësisht se:

Në zonën e Mbrojtur kryhen restaurime, përshtatje, rikonstruksione apo dhe ndërtime të reja për të rritur vlerat brenda saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, të cilat duhet të jenë në harmoni me karakterin arkitektonik e urbanistik të ansamblit. Lartësia maksimale e ndërtimeve të reja apo rikonstruksioneve dhe përshtatjeve, përveç rasteve kur për to ka studime të veçanta, nuk duhet të kalojë lartësinë e objektit më të lartë të qendrës historike. Kompozimi arkitektonik i ndërtesave duhet t’i përshtatet karakterit arkitektonik e dekorativ të rkitekturës së qendrës historike

 

Ky paragraf na thotë se në atë që dikur ishte pjese integrale e Ansamblit  Monument Kulture të Tiranës, e ku nuk lejohej asnjë ndërtim, sot lejoehn ndërtime të reja që mund të shkojnë në na lartësinë e Hotel Tiranës, apo Korpusit Universitar. Dhe bëhet fjalë për një sipërfaqe të liruar prej rreth 50 ha truall që vihet në dispozion të ndërtimit, kuptohet me kërkesa teknike dhe dekorative konkrete. Sigurisht që hapja e një sipërfaqeje të tillë nuk është diçka e keq në vetvete, por është shumë e çuditshme heshtja e opozitës shqiptare përballë një akti administrativ të qeverisë që transformon eventualisht panoramën dhe urbanistikën e kryqytetit e ku patjetër do të investohen miliona euro.

Është po kështu shumë i çuditshëm dhe befasues, arsyetimi I Ministrisë së Kulturës në relacionin e vendimit 325, në të cilën na thuhet se shkak për ndryshimin e bërë dhe zonifikimin e ri të qendrës së Tiranës është “saktësimi i terminologjisë bazuar Ligjin  nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore” (i ndryshuar) dhe në VKM Nr. 426, datë 13.7.2007 “Për miratimin e Kartës Shqiptare të Restaurimit”, ku emërtimi në VKM me nr.180, dt.13.04.2000 është “ Shpallja Ansambël Monument kulture i aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”, emërtim i cili nuk përputhet me Ligjin në fuqi”.

Po të shikojmë hapësirat e ndryshuara, cilësitë e njërës zonë dhe tjetrës dhe fakti se objekte si Piramida, Pallati i Kongreseve, janë lënë jashtë Zonës Historike, është e qartë se arsyet për këto ndryshime janë të tjera. Dhe se ajo që sot e njohim si qendra e Tiranës do të transformohet shumë shpejt. TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.