Një “nxënës” i shkollës turke në krye të Policisë
Nuk ishte suprizë emërimi në krye të policisë së Shtetit i 46-vjeçarit, Ardi Veliu, i cili deri dje mbante postin e drejtorit të Policisë së Tiranës. Një propozim i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa dhe i miratuar nga kryeministri Rama.
Ajo që bie në sy është formimi profesional i Veliut. Pas mbarimit të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” nga viti 1987 deri në vitin 1991, Veliu vazhdon studimet e larta në këtë Shkollë dhe më pas nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë. Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 ai u kualifikua në Akademinë e Policisë në Ankara të Turqisë për të shërbyer më pas në disa detyra, ku karrierën drejtuese e nisi si shef i policisë së Memaliajt.
Veliu nuk e ka fshehur se e ka synuar këtë post dhe mesa duket rikthimi i Gatmir Xhafajt në krye të ministrisë së Brendshme ka çuar ujë në këtë drejtim. “Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë”- theksoi Veliu në ceremoninë e marrjes së detyrës.
Lapsi. Al citon një drejtues policie që thekson pikërisht si veçori të Veliut, atë të shkollimit në akademinë turke. “Turqia i specializon më shumë në aspektin e organizimit ushtarak, përfshirë edhe mënyrën e qëndrimit, qoftë edhe nga ana estetike. Këto të Turqisë ne i quajmë “Kambale”, si këpucët që veshin ushtarakët. Profesionalisht ka mungesë eksperience në hetimin e krimit, në aspektin e gjurmimit dhe informimit, pikërisht ato që të japin mundësinë të “shkëlqesh” nëse arrin sukses. Por gjithsesi është një menaxhues i mirë. Deri tani, në polici rezulton të jetë një njeri i pastër, i papërfolur për çështjet e tjera, krejtësisht i pastër”-thekson efektivi në kushte anonimati.
Ish kryeministri Sali Berisha e paralajmëroi zgjedhjen e Ardi Veliut në krye të Policisë së Shtetit disa ditë më parë, por duke thënë se kryepolici është në depresion për shkak të vjedhjes së 550 mijë eurove në shtëpinë e tij në Vlorë. Gjatë përmbytjeve të fundit në Tiranë, Veliu u shfaq në krah të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa duke raportuar dhe mbajtur shënim çdo ankesë dhe çdo porosi. Për menaxhimin dhe gatishmërinë e policisë së Tiranës asokohe nuk munguan ankesat e qytetarëve. Përgjegjësia që i ngarkohet 46 vjeçarit nga Delvina është shumë herë më e madhe dhe po ashtu një bast me shumë risk i ministrit Xhafaj.
Add new comment