Sprovat intelektuale të opozitës. Nga Sorosi te skenari lindor

Postuar në 14 Janar, 2018 23:26

Qeverisja e Edi Ramës është e dështuar. Dhe më tej, qeveria e Edi Ramës është në vijimësi lajm i keq për Shqipërinë. të dyja këto teza apo deviza politike janë brenda kontesktit politik objektivisht të pranueshme. Edhe logjika ta do që këto pohime të jenë të vërteta. Puna është se nga kjo e vërtetë te mobilizimi për të ndryshuar diçka qëndron një det i tërë.

Detyrën për ta bërë këtë teorikisht e ka opozita, e cila ka në dorë shumë instrumente. Në Shqipëri kemi një anomali: nuk ka opozitë të vërtetë. Dhe brenda kësaj anomalie ka edhe një mutacion që quhet LSI. Ky mutacion që po agreson çdo gjë pozitive të mbetur, merr me vete edhe farën e vetëshkatërrimit që ushqehet te budallallëku politik dhe malinjiteti I përditshëm i deklaratave dhe qëndrimeve që fyejnë çdokënd dhe i konsiderojne njerëzit qenie që mund të ndërsehen.

Një  nga njerëzit kryesorë të kësaj partie, Petrit Vasili, shkruan sot se Edi Rama ka një skenar për të mbajtur Shqipërinë larg Europës, sepse ai synon të mbulojë transaksionet e parave të pista që po do t’i pastrojë.

“Ky skenar i cili eshte ideuar dhe sponsorizuar ne nje shtet te te rendesishem te lindjes pas zgjedhjeve te qershorit 2017, me objektivin e ndertimit te alibise, qe do ta lejoje kryeministrin te legjitimoje bashkepunimin per operacione politiko-financiare okulte me shtete te vendosura fort kundra bllokut te BE.

Krijimi i tensionimit artificial politik,bllokimi i reformes ne drejtesi permes delegjitimimit te saj,vijimi i operacioneve te medha te pastrimit te parave qe vijne edhe nga lindja...ishin shtyllat e skenarit "integrimi i pamundur"

Kjo kishte synim qe duke pamundesuar ecjen e integrimit europian te pengohet dhe evitohet syri i "bezdisshem" i europianeve ne transaksionet e medha financiare me qellim pastrimin masiv te parase se trafiqeve dhe asaj te lindjes...dhe te nxjerrjes se valutes jashte vendit”, thotë Vasili.

Sigurisht që ky mesazh pajton në vetvete natyrën policore të sjelljes politike të LSI-së, me ambcien dhe nervozizmin e saj përkundrejt pushtetit që humbi. Aty gjejmë edhe koeficientin e inteligjencës që përshkron këtë forcë politike, e cila duket se skenarin sorosian për Edi Ramën po e kalon në një valle tjetër: skenarin lindor, me gjasë rus.

Pse është fyese dhe e trashë një politikë e tillë?

Së pari sepse pas 27 vjetësh pluralizëm, qytetarët mësuan se asnjë kryeministër nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë aq i fuqishëm sa thuhet në deklarimet e opozitës së radhës. Asnjë pushtet në Shqipëri nuk është në gjendje të strukturohet për operacione kaq të ndërlikuara sa kjo e pastrimit masiv të parave, që në çdo rrethanë, është një çështje ndërshtetërore.

Së dyti, sepse asnjë shqiptar, ose shumë pak shqiptarë të thjeshtë e shohin Europën si aspiratë përtej një shansi për punësim. Çka do të thotë se për një shqiptar normal mjafton të ketë mundësi të lëvizë lirisht në Europë, që të mos shohë në ekrane fytyra si Edi Rama, Ilir Meta, Petrit Vasili apo Monika Kryemadhi, të cilëve u ka rënë barra që ta orientojnë Shqipërinë kulturalisht drejt Europës.

Nga kjo pikëpamje është disi e pakuptimtë se përse duhet të shqetësohet një shqiptar i zakonshëm se Edi Rama po synon të qarkullojë qindra milionë euro? Ky me siguri është shqetësim i LSI-së dhe PD-së, që po vërdallosen rreth tryezës së pushtetit prej dekadash.

Dhe së fundmi, është fyerje dhe të vjen pështirë të shohësh edhe sot pas 27 vjetësh sesi parti politike apo politikanë flasin me kode dhe me gjuhë shantazhi për çështje që sikur të jenë të vërteta duhet të jenë pjesë e debatit publik. Patjetër që kjo është shumë, tepër, t’i kërkohet LSI-së, por të paktën, partia në fjalë që ka edhe një president nga radhët e veta, duhet t’ia kursente vetes opozitarizmin histerik dhe banal me teza konspirative dhe me prezumime politike.

Koha kërkon që kjo ndërgjygjësi verbale politike të marrë fund, qoftë edhe sepse me reformën në drejtësi, të cilën LSI-ja e ka për zemër, e bashkë me të edhe partnerët e pisllëkut politik, Edi Rama dhe Lulzim Basha, çdo deklaratë mund të shënohet në regjistrin penal. Dhe një drejtësi e vërtetë nuk bën dallim as për peshqit e mëdhenj, as për të vegjlit si Vasili apo Taulant Balla në krahun tjetër.

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

"përse duhet të shqetësohet një shqiptar i zakonshëm se Edi Rama po synon të qarkullojë qindra milionë euro? "
Sepse historia ka treguar qe popujt e shteteve te drejtuar nga narkotrafikantet jane ata qe vuajne dhe paguajne me shume per pasojat e trafikut. Kolumbianet, hondurenet, apo banoret meksikane te Ciudad Juares dhe Tijuana jane shembulli me i dukshem perse shqiptaret i druhen nje situate ku trafikantet kane monopol apo gjysem monopol te pushtetit.
Dhe te habit gjithashtu edhe pasazhi qe "asnjë kryeministër nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë aq i fuqishëm ". Drejtuesit e shtetit ne Shqiperi: i vene zjarrin vendit, shperthyen fabrika municionesh ne zemer te vendit me dhjetra viktima, vrasin njerez ne bulevard, ndrrojne kushtetuta brenda nates, kthejne ministrine e mbrojtes ne kultivuese dhe ate te brendeshme ne trafikues hashashi, bejne shaka pa kripe te tipit "te shohim cfare do te thote drejtesia per ministrin qe ndan droge ne Itali me makinen e vete", kane ne dore informacionin, spiunet dhe drejtesine dhe asnjehere nuk i ka hyre kurrkujt gjemb ne kembe. Kryeministrat tane nuk kane qene dhe nuk mund te jene aq te fuqishem?
Nese autori mendon se e ka kaluar sproven e tij intelektuale, ai eshte duke bere shaka me te te tjereve!

Submitted by Fillestari (not verified) on

Nuk eshte ne intencionin tim te dal jashte kontekstit te shkrimit. Per te shmangur keqkuptimet, jane disa gjera te kritikueshme ne objektivin e shkrimit ne fjale. Se pari, paragjykimi i mesazhit, meqe bartesi i mesazhit eshte njeri i papelqyer. Z. Vasili per te cilin ndaj antipatine e autorit te shkrimit, mund te kritikohej per shume gjera. Por ne thelb fakti qe qeveria aktuale shqiptare eshte e interesuar ne pastrim parash te paligjshme eshte krejtesisht intuitiv, pavaresisht cila eshte qellimi strategjik i kesaj. Nje rrjedhim i ketij interesi eshte pa dyshim edhe sabotimi i integrimit europian. A jane te interesuar shtete te medha te ortakezojne kryeministrin tone ne pastrim parash dhe naivitete te tjera, kjo mund te diskutohet dhe kritikohet. Por shqiptaret, edhe ata qe jane te punesuar jashte, kane apo nuk kane interesa ekonomike ne Shqiperi, jane objektivisht te preokupuar per mundesine reale te kriminalizimit te tere jetes ekonomike te vendit dhe autori i shkrimit ben gabim qe e relativizon. Redaksia e nderuar mbase do te binte dakord ne kete pike qe replika ime nuk ka qene jashte kontekstit.
Nje tjeter gabim (ne opinionin tim personal dhe modest) eshte relativizimi i pushtetit te individit ne Shqiperi. Ne nje vend ku perjashto Kryeministrin dhe plakat e lagjes se ish-ministrit, te tere e kane te qarte si drita e diellit qe anetare kyc te qeverise jane trafikante banale droge, nuk ka me asgje te pamendueshme. Po ashtu, pastrimi i parave nuk perben asnje operacion kompleks, mjafton te shohesh horizontin e Tiranes dhe te ndertimeve te reja ne te.
Llogjika e zz Vasili dhe Kryemadhi, fut uje ne 100 menyra te ndryshme. Por ndoshta kritika ndaj tyre mund te ishte me objektive, pa minimizuar ne ndonjefare menyre shqetesime reale qe ne menyre oportuniste ata jane duke ngritur.
Shpresoj qe redaksia te shohe dhe vleresoje argumentin tim - edhe sikur mos te jete dakord me te.

Submitted by redaksia on

Z. Vasili ka te gjitha mundesite dhe instrumentet qe te informohet konkretisht dhe nese sheh se kjo ceshtje ka interes publik, ai nuk duhet te hedhe ca radhe be Faceboook. Sepse kjo eshte dicka shume me serioze sesa Facebook. 

Kur opozita apo z. Vasili te marre seriozisht veten, atehere do ta marrin edhe te tjeret seriozisht. 

Ne jemi njerez me dy sy, veshe dhe goje si zoteria. Te na thote cili eshte ky shtet dhe pse deshtimi i integrimit e pezullon hetimin nderkombetar per pastrim parash? 

Dhe dicka: me z. Vasili apo perfaqesues te tjere politike eshte e veshtire, madje luks t’i paragjykosh. Kjo ngaqe kane qene ter kohes transparente. 

Sa per ate shqetesimin e shqiptareve te zakonshem, kjo mendoj eshte ceshtje kendveshtrimi. Vetem se shqiptaret e Shqiperise u sherbyen me lajme se Edi Rama ka 200 milione euro dhe kontrollon kanabisin, e serish e votuan me shume se ne vitin 2013.  Cka intuitivisht me jep te drejten te shkruaj se interesi per milionat e z. Rama, pavaresisht se jane te pastra apo te pista nuk eshte ne standardin e nje qytetarie europiane. 

Ne fund te fundit z. Vasili na drejtohet ne te gjitheve. Le te na thote dicka me shume sesa shashkat e Facebook. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.