Protesta e një manekini
Lulzim Basha do të udhëheqë sërish një protestë për rrëzimin e Edi Ramës, ku në rendin e pakënaqësive është një listë e gjatë me parashtesën kundër. Teorikisht presupozohet se opozita përfaqëson pakënaqësinë popullore ndaj qeverisjes dhe në këtë listë teoricienët e PD-LSI-së i kanë përfshirë të gjitha kauzat për të cilat kërkohet mobilizimi i popullit. Aq sa në 27 Janar do të protestohet edhe kundër kurbetit, siç deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen me datë 27 janar, të shtunën në orën 12.00, në një protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, kundër krizës ekonomike, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi, të çliruar nga politika dhe pushteti i bërë njësh me krimin. Drejtësi për të papunët, drejtësi për të rinjtë, drejtësi për studentët, drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe jo të largohen si emigrantë dhe t’i dorëzohen fatit e rrugëve të kurbetit”
Janë disa pyetje që shtrohen për këtë aksion të opozitës së bashkuar nëse mund të quhet kështu. A është Lulzim Basha lideri të cilit i duhet besuar pakënaqësia popullore, nëse marrim të mirëqena shumë prej problemeve që përmenden në thirjen për protestë? Druajmë se jo. Ai është rasti tipik i një kryeprotestuesi që një aksion të nisur në emër të qytetarëve e përdori për interesat e ngushta personale, duke i vënë çelësin dhe duke shtrënguar duart me kundërshtarin pa të keq.
Lulzim Basha e ka kthyer veten në një manekin politik që si rrugë të vetme për të çimentuar pozitat në krye të PD-së ka “radikalizimin” e opozitës dhe përdorimin e statusit të saj për të sheshuar çdo dyshim dhe kontestim të brendshëm ndaj tij. Ku i dihet mbase i vjen dita te behet kryeminister.
Add new comment