Patriotizmi shpërblehet
Çështjet organizative të Partisë Socialiste vijojnë të trajtohen si lajme që lidhen me fatin e Shqipërisë. Interesi i medias që është në inflacion të dukshëm me rëndësinë e procesit politik që përfaqëson sot kjo parti, i jep mundësinë elitës së komanduar të epokës Rama të afirmojë me komoditet parrullat për timonierë që mendojnë vetëm për integrimin e Shqipërisë.
Mikrofonët janë në dispozicion ashtu dhe zëdhënësat e kësaj politike, një prejt të cilave Elisa Spiropali, ish-drejtoreshë e Doganave. Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste ajo dha këtë prononcim:
"Ne e fituam mandatin e Qershorit 2017 në një koalicion me qytetarët, morëm një mandat kuq e zi dhe jemi të vendosur që ta vazhdojmë këtë koalicion të madh. Jemi të vendosur që të dëgjojmë qytetarët në qendër apo në periferi, në qytet apo në fshat, të gjitha problemet e fermerëve, të nëpunësve, të qytetarëve të papunë. Jemi të vendosur që në këto muaj të punojmë fort për agjendën europiane të Shqipërisë, për t’i mbërritur dhe për të bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Bashkimin Europian; jemi në një pikë shumë të rëndësishme pavarësisht zhurmës, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të opozitës për të krijuar zhurmë në vend. Ne, padiskutim, vëmë agjendën e Shqipërisë përpara agjendës politike të ditës. Fatkeqësisht, kjo nuk është retorika apo politika e opozitës: ata kanë vendosur të venë interesin politik të ditës mbi interesin kombëtar"-theksoi Spiropali.
Politikisht një deklaratë e tillë mund të përkthehet si parapërgatitje ndaj një refuzimi të mundshëm të hapjes së negociatave të Bashkimit Europian. Dhe për këtë sipas zëdhënëses së partisë në pushtet duhet ndërgjegjësuar edhe populli me fushata derë më derë, se kush është fajtori i dështimit, ku në peshore hyn patriotizmi.
Në këtë frymë të patriotizmit qeveria thotë se po zgjidh edhe problemet me fqinjët, me të cilët deri para disa muajsh i ndante vetëm Gjyqi Ndërkombëtar. Vallja e hedhur nga Kreta deri në Bruksel ka sy synim vetëm trofeun e negociatave, dhe në këtë kontekst edhe shpërndarja e komisarëve politikë në popull me statusin e të dërguarit të Partisë kategorizon sërish të njëjtën frymë të edukuar nga e shkuara e lavdishme puniste ku proletarët e djeshëm ishin pushtetarët e nesërm..
Add new comment