Protestë dhe padi Edi Ramës, Dule "tradhëton" opozitën

Postuar në 08 Janar, 2018 12:18

Opozita zyrtarizoi datën 27 Janar për protestën e rradhës. Data u vendos nga Lulzim Basha e Monika Kryemadhi pas takimit që kishin mbrëmjen e së dielës. Fundi i muajit u pa si koha më e përshtatshme për të zhvilluar protestën, pasi kryetari i Partisë Demokratike të ketë përfunduar edhe turin në rrethe. 

Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë opozita në seancën e parë të sesionit që do të nisë më 15 Janar, por tashmë data e protestës është dakordësuar edhe me kundërshtarët e tjerë të PD-së,  Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Agron Duka. Ra në sy mungesa e Vangjel Dules në takimin e Bashës me aleatët. Arsyet janë të paqarta dhe nuk dihet nëse lidhen me ripozicionimin e Athinës në raport me Tiranën. Burime zyrtare thanë për "Respublica" se kryetari i PBDNJ-së është për një vizitë pune në Janinë dhe kjo është dhe arsyeja e mungesës në takim. 

Tërheqja e Dules ndoshta vjen si reflektim ndaj erës së re në marrëdhëniet mes dy qeverive, ku kohët e fundit kryetari i PBDNJ ka qenë i përjashtuar ose më saktë nuk ka patur ndonjë rol. Megjithatë të njëjtat burime konfirmuan se PBDNJ ka mbështetur gjithmonë protestat e opozitës së bashkuar, pa dhënë një përgjigje të qartë nëse edhe këtë radhë Dule do jetë në rrugë më 27 Janar.

Shenjat tregojnë që jo, me shumë gjasë Dule nuk do të protestojë kundër Edi Ramës, megjithatë duhen pritur zhvillimet. Kujtojmë që kryetari i PBDNJ-së prej javësh ka braktisur edhe kauzën e pronave në Himarë, dukë lënë pankartat dhe u kthyer me urgjencë në Tiranë menjëherë pas deklaratave të Kotzias se qeveria greke nuk është kundër projekteve zhvillimore të zonës.

Nga ana tjetër kyetarja e LSI, Monika Kryemadhi, paralajmëroi se shumë shpejti kryeministrit Edi Rama do të jetë i pandehur, në kuadër të Reformës në Drejtësi. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryemadhi deklaroi se LSI ka prova për ta çuar Ramën të pandehur, teksa tha se LSI ka dërguar në gjykatë një akt-padi ndaj shefit të ekzekutivit.
Padia ndaj kryeministrit lidhet me zgjedhjet e qershorit 2017, ku ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit për t’u përfshirë në proces.

Në padinë e LSI, kryeministri Rama akuzohet për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim detyre.
“Sa të duash ka prova, kemi dhe një akt-padi që kemi dërguar në gjykatë, sa i përket zgjedhjeve të 2017, ku Rama në mënyrë flagrante i bëri thirrje policisë të përfshihet në proces. Do ta akuzojmë Ramën për shkelje të Kushtetutës dhe shpërdorim detyre, një akuzë shumë e rëndë kjo”-tha Kryemadhi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.