Veliaj: Vdekja e Ardit Gjoklajt aksident i zakonshëm
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka anashkaluar të flasë për përgjegjësitë e bashkisë në ngjarjen ku gjeti vdekjen 17-vjeçari Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, mesditën e 7 gushtit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, e lejuar nga Bashkia e Tiranës të punojë në këtë sektor,
Për vdekjen e 17 vjeçarit Prokuroria çoi në gjyq dy persona përgjegjësin e turnit, Dëfrim Hakrama dhe fadromistin, Edmond Kollari, të cilët u akuzuan se kanë shkelur ligjin. Ndërkohë që hetimi për përgjegjësitë e bashkisë së Tiranës që lidhen me kontraktimin e kompanisë “3R” dhe lejen me të cilën ajo operonte u nda më vete dhe më pas u pushua.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ftuar në emisionin Top Story u pyet përse hetimet për bashkinë u pushuan dhe Prokuroria nuk i vazhdoi ato. Përgjigje e sikletshme ajo e kryetarit të Bashkisë, kur tha se kjo çështje i takon Prokurorisë me argumentin se aksidente të tilla janë të zakonshme.
Duhet të pyesni prokurorinë. Është një pyetje shumë e mirë që duhet t’ia bëni prokurorisë. Ky është një qytet ky ndodhin çdo ditë aksidente. Në një qytet të madh këto ndodhin gjithë kohën”-deklaroi Veliaj.
Mediat kanë aluduar për blerje të Prokurorisë nga kryebashkiaku pas një takimi që zoti Veliaj pati me Prokurorin e Tiranës Petrit Fusha. Tre ditë më vonë pas këtij takimi në datën 27 dhjetor të vitit 2016 u mësua për dhënien e tenderit për rikonstruksionin e Sheshit “Skënderbej” firmës “Fusha” që rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Shkëlqim Fusha, i cili është njeriu i afërt i Prokurorit të Tiranës, Petrit Fusha.
Add new comment