Dossier/”Letra Zinoviev”, Fake News perfekt 83 vjet më parë

Postuar në 12 Nëntor, 2017 19:41

Nga një pikëpamje mund të thuhet se ka edhe një epokë të lajmeve të rreme. Që kanë qenë përherë prezente, të përdorura nga të gjitha shtetet, ka patur falsifikime historike etj., por asnjëherë më parë lajmi i rremë nuk është ngritur si shqetësim politik i nivelit të lartë. Aktualisht çështja e lajmeve të rreme është pjesë e hetimeve në SHBA dhe Facebook dhe Google po marrin pjesë në to në cilësinë e dëshmitarit dhe pjesëmarrësit. Ndërkohë historia e shekullit të 20-të, apo 19-të ofron raste të tjera të lajmeve të rrema që kanë luajtur me shoqëri të tëra dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Kjo e zgjedhjeve në SHBA është një përpjekje e sforcuar për të evidentuar një ndikim real(pasi roli i saj është i padiskutueshëm) të Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale amerikane. Vetë kandidatja Clinton deklaroi se ishte letra e Commey dhe WikiLeaks që e çuan në humbje dhe jo lajmet e rreme, ustallarët e të cilave janë tjetërkund. A mos vallë kërkimi për fajtorë dhe lajme të rreme është vetë një lajm i rremë për një përgjegjësi që qëndron gjetkë?

Më poshtë një rast spektakolar i një lajmi të rremë orkestruar me përsosmëri cinike 83 vjet më parë në Britaninë e Madhe. Një tjetër rast janë edhe Dokumentat Sison, që u denoncuan si falsifikim nga George Kenan(http://www.journals.uchicago.edu/doi/abs/10.1086/237884?journalCode=jmh).

***

Në vitin 1924, një firmë e Grigory Zinoviev - ose më saktë një falsifikim i firmës së tij -provokoi një krizë politike në Britani, duke nxitur armiqësinë mes saj dhe Bashkimit Sovjetik. Zinovievi drejtonte asokohe lëvizjen komuniste botërore, në një kohë kur revolucioni dukej i mundshëm kudo. Ushtria e tij e agjentëve të Kominternit (Organizata Ndërkombëtare e Lëvizjes Botërore Komuniste) përdorte paratë sovjetike për të nxitur revolta kudo në Evropë. Pas vitit 1917, Lenini e bëri shokun e tij të vjetër të revolucionit, Gregory Zinoviev, anëtar të Byrosë Politike të gjithëpushtetshme dhe mandej e emëroi atë në krye të Internacionales së Tretë, e cila bashkonte të gjitha Partitë Komuniste në botë. Ky në fakt ishte një pozicion kyç; detyra e Zinovievit ishte të mbikëqyrte të gjithë lëvizjen komuniste, e cila planifikonte të kthente të gjithë botën nën ideologjinë e saj. Por emri i Zinovievit është i lidhur me një nga enigmat më tërheqëse dhe ende të pazbardhura të shekullit të 20, me atë që njihet si “Letra Zinoviev”, e cila e përçau Britaninë në dysh.

Bolshevikët në marrëveshje me Laburistët

Në janar 1924, Ramsay MacDonald, lideri i Partisë Laburiste, bëhet Kryeministër. Një nga veprimet e para të qeverisë së tij ishte njohja ‘de jure’ e qeverisë së Bashkimit Sovjetik, përmes negociatave të zhvilluara me të ngarkuarin me Punë në Londër, Cristian Rakovsky. Moska ishte në ankth dhe kërkonte një hua, gjë të cilën qeveria Laburiste ishte gati që ta jepte përmes një linje krediti, që do të lejonte blerjen e prodhimeve angleze. Por, qeveria britanike kërkoi paraprakisht shlyerjen e borxhit të marrë nga qeveria cariste në Rusi. Fillimisht, bolshevikët refuzuan kategorikisht, por më pas, duke parë te Britania e Madhe shpresa të mëdha për interesat e tyre politike, ata bënë disa lëshime. Qeveria sovjetike pranoi kështu që të kompensonte britanikët që kishin kontrata apo tituj kapitalesh me Rusinë, një veprim pas të cilit shpresohej se qeveria Laburiste do të firmoste një Traktat me Moskën dhe të përmbyllte një marrëveshje tregtare. Me të paguar borxhin e vet, Moska do të merrte nga Britania huanë e kërkuar. Këto propozime që po negocioheshin në atë kohë me sovjetikët, e tërbuan kaq shumë opozitën konservatore saqë ajo kërkoi largimin e qeverisë Laburiste. MacDonald nga ana e tij i trajtoi këto kërkesa si çështje që, sipas gjykimit të tij, lidheshin me besimin dhe për pasojë në Dhomën e Komunave bëri thirrje për zgjedhje të përgjithshme. Ditën tjetër, shërbimi sekret britanik i dorëzoi Foreign Office (Ministria e Jashtme) një kopje të një letre sekrete, që mbante firmën e Zinovievit. Letra u bënte thirrje komunistëve britanikë që të përgatiteshin për lëvizje të armatosur:

Që nga raporti juaj i fundit shihet qartë se agjitacion-propaganda në radhët e Ushtrisë është e dobët, në Marinë diçka më mirë… Do të ishte e dobishme që të ekzistonin celula mes trupave, sidomos mes atyre që janë të vendosura në qendrat e mëdha të vendit… Seksioni Ushtarak i Partisë Komuniste Britanike, për aq sa ne jemi të informuar, vuan nga mungesa e specialistëve, që janë në fakt drejtuesit e ardhshëm të Ushtrisë së Kuqe Britanike. Është koha që ju të merrni në konsideratë krijimin e një bërthame të tillë, e cila së bashku me drejtuesit mund të jetë në eventualitetin e shpërthimit të një konflikti, truri i organizimit ushtarak të Partisë

Më 25 tetor, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, letra u shfaq në gazetën e njohur “Daily Mail”. Britanikët i dorëzuan Rakovskyt një notë proteste dhe kështu i ngarkuari me Punë i dërgoi një mesazh kabëll Moskës për mënyrën se si duhet të përgjigjej.

Sekretet e Kominternit

Zinovievi insistonte që nuk e kishte shkruar letrën. Dhe në fakt ai nuk gënjente. Dokumente të deklasifikuara tregojnë sot se Moska ishte në prag të një disfate: askush nuk dinte asgjë rreth letrës. Në fakt, drejtuesit sovjetikë donin të gjenin me çdo kusht personin që e kishte shkruar.

Në mbledhjen e Politbyrosë, të datës 18 dhjetor 1924, ata kërkuan që “personi që shkroi Letrën Zinoviev të zbulohej”. Në këmbim, personi që do të pranonte autorësinë do të ishte i garantuar për sigurinë e tij”.

Në mënyrë që të vërtetonin se bëhej fjalë për një falsifikim, sovjetikët arritën deri aty sa të lejonin të huaj të hynin të arkivat e tyre sekrete. Më 24 nëntor, një delegacion i Tradeunion-eve britanike mbërritën në Moskë dhe pas 6 muajsh, në maj 1925, ata publikuan një raport me anë të të cilit deklaronin se,

pasi kishin studiuar në detaje dokumentacionin e Komitetit Ekzekutiv të Kominternit nuk kishin gjetur asnjë gjurmë të veprimtarisë anti-britanike

Ata konkluduan se letra ishte një falsifikim. Sigurisht që delegacionit nuk i ishte dhënë akses për çdo gjë. Aino Kuusinen, gruaja e një prej liderëve të Kominternit disa dekada më vonë, e përshkruante kështu vizitën e tyre:

Otto Kuusinen vendosi që të zhvendoste disa materiale që komprometonin Kominternin. Vetëm pasi u bë kjo, ai i lejoi anglezët që të shikonin “të gjitha letrat që lidheshin me çështjen angleze. Ata harxhuan tre ditë dhe tre net të tëra duke folur për ato materiale komprometuese. Madje, ata arritën deri aty sa të rishkruanin të gjithë korrespondencën e librit të llogarive…”.

Në të vërtetë, Kominterni kishte diçka për të fshehur. Bolshevikët po përgatisnin një revolucion botëror dhe po bënin gjithçka mundnin që të nxisnin revolta në Evropë. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për kryengritje të armatosur në Gjermani, sovjetikët furnizuan me armë komunistët bullgarë në mënyrë që të rrëzonin qeverinë ekzistuese në Sofje. Më 26 mars 1924, Zinovievi firmoste një memorandum, lidhur me aktivitetet e ardhshme (në planin afatshkurtër) të Partisë Komuniste Britanike dhe aty nuk gjen asnjë fjalë rreth idesë së armatosjes së revolucionarëve, apo organizimit të një revolte kundër qeverisë britanike.

Më 11 tetor 1924, Politbyroja vendosi që t’i kalonte Komitetit Ekzekutiv të Kominternit një fond shtesë prej 50000 rublash, lidhur me disa aktivitete në Britani. Por këto fonde do të përdoreshin për një gazetë komuniste dhe jo për blerje armësh. Marrëveshja tregtare me Britaninë dhe huaja e shumëpritur ishin shumë herë më të rëndësishme sesa revolucioni botëror. Dokumente të deklasifikuara të Kominternit tregojnë se Moska ishte shumë e kënaqur me marrëveshjen e arritur dhe shpresonte se ajo do të ratifikohej. Më shumë se kaq, ata po shpresonin edhe për një fitore të Laburistëve në zgjedhje. Pra, gjëja e fundit që Moska do të bënte ishte që të dërgonte një letër, ku bënte thirrje për kryengritje të armatosur.

MI6 vepron me shpejtësi

Në vjeshtën e vitit 1924, “Letra Zinoviev” iu dorëzua kreut të MI6 (Shërbimi Sekret britanik) që operonte në Riga të Letonisë (kreu i MI6 në këtë rast bën fjalë për drejtuesin e shërbimit në Letoni). Më 2 tetor, ai i dërgonte një letër shtabit të MI6 në Londër me një shënim:

Autenticiteti i dokumentit është i padiskutueshëm

Konkluzioni i tij ishte shumë i nxituar. Ai në fakt nuk kishte bërë kontrollin e dyfishtë të burimit të letrës. Mandej, shërbimi anglez nuk duket se ka pyetur oficerin e tyre në Riga, se si u ra letra në dorë dhe se ç’gjuhë ishte shkruar ajo - rusisht apo anglisht. “Letra Zinoviev” u dërgua me shpejtësi te drejtuesit qeveritarë, te forcat e armatosura dhe shërbimet speciale.

Foreign Office protestoi pranë të ngarkuarit me Punë të BS pa asnjë provë nëse dokumenti ekzistonte. Drejtori i Departamentit Verior në Foreign Office, J. Don Gregory, i nisi Rakovskyt notën e protestës përpara se ai të merrte lejen nga Kryeministri MacDonald. Duhet theksuar se në atë kohë, Don Gregory kishte një dashnore shumë të shtrenjtë dhe një llogari bankare të boshatisur. Pas publikimit të “Letrës Zinoviev” financat e tij u përmirësuan jashtëzakonisht shumë. Kërkues të ndryshëm besojnë se gazeta e pagoi Don Gregory për tekstin e letrës; u pëshpërit se dikush i dha atij 5000 paund. Ndërkohë shërbimet britanike, ato ushtarake dhe ato speciale e morën shumë seriozisht mundësinë e një revolte komuniste. Të frikësuar nga revolucioni, ata donin ta përdornin “Letrën Zinoviev” si armë kundër Partisë Komuniste dhe Laburistëve, të cilët ata nuk i besonin.

Për më shumë që një kopje e letrës ra në dorë të politikanëve konservatorë, që nuhatën tek ajo një argument të çmuar në betejën e tyre politike dhe elektorale kundër Laburistëve. Ata e përdorën kështu letrën për të nisur një skandal politik, që do ta shkatërronte partinë. Nën ethet elektorale, Konservatorët akuzuan Partinë Laburiste për bashkëpunim me komunistët rusë, me qëllim përmbysjen e qeverisë britanike. Sigurisht, që letra në vetvete nuk i përmbysi Laburistët, por është e padiskutueshme se ajo influencoi ndjeshëm në humorin politik të votuesve. Me këto zgjedhje Konservatorët erdhën në pushtet dhe politika e vendit ndryshoi. Marrëveshja tregtare anglo-sovjetike nuk u ratifikua dhe raportet mes dy vendeve u përkeqësuan.

Gjurmët çojnë në Riga

Për dekada të tëra, liderët laburistë janë përpjekur të zbulojnë prejardhjen e letrës. Ata ishin të sigurt se ajo ishte një dorë e Konservatorëve dhe shërbimeve speciale. Kur Tony Blair u bë Kryeministër, Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme dhe ato të Komonuelthit, Robin Cook, tashmë i vdekur (shërbimet sekrete tradicionalisht i raportojnë këtij zyrtari) urdhëroi hapjen e arkivave, në mënyrë që misteri të zgjidhej përfundimisht. Kur letra origjinale u shfaq, krerët e Shërbimit Britanik insistuan se ajo ishte autentike dhe se ata e kishin marrë atë nga një agjent i tyre, që punonte në Sekretariatin e Komitetit Ekzekutiv të Kominternit dhe që kishte akses në dokumentacionin sekret. Sipas tyre, ai e kopjoi letrën direkt nga origjinali rusisht i firmosur nga Zinovievi. Por, në të vërtetë, britanikët nuk kishin një agjent të tillë në Moskë. Në atë kohë, MI5 (kundërzbulimi britanik) ndiqte aktivitetet subversive dhe ato të propagandës në Britani, ndërsa MI6 ndiqte situatën në BS. Ish-agjentë sekretë në mënyrë të pavarur siguronin informacione nga burime të ndryshme. Në këtë kuadër shumica e informacionit erdhi nga Rusia përmes emigrantëve rusë që kishin një ide jo shumë të qartë mbi atë çfarë po ndodhte në BS. Ata shpesh u jepnin shërbimeve të huaja informacione të falsifikuara me zgjuarsi. Madje, kishte në Berlin grupe të tilla emigrantësh të aftësuar mirë në të tilla falsifikime.

Shërbimi special anglez nuk do ta pranonte “Letrën Zinoviev” nëse ajo do të vinte nga Berlini, por Riga ishte një tjetër gjë. Një tregëti e mirëfilltë informacioni rreth asaj se çfarë ndodhte në BS, si autentike ashtu edhe false filloi të krijohej në këtë kryeqytet të Baltikut. Kreu i operacioneve sekrete britanike në Riga u besonte njerëzve me të cilët ai punonte. Por këta ishin ish-oficerë të Ushtrisë së Bardhë dhe mercenarë, të cilët ia shisnin shërbimet e tyre blerësit më të shtrenjtë. Faktet dëshmojnë se “Letra Zinoviev” ishte shkruar nga njëri prej tyre. Pas kaq shumë vjetësh është e pamundur të thuhet se kush e shkroi atë. Falsifikuesit donin të bënin para dhe të prishnin marrëdhëniet anglo-sovjetike. Dhe në fakt, ata ia arritën që të dyjave me sukses.

 

Burimi: https://www.rbth.com/articles/2007/08/25/letters.html

Autori: Leonid Mlechin, historian dhe shkrimtar rus

***

Mediat britanike e kanë trajtuar këtë letër dhe historinë e saj edhe më herët.

https://www.theguardian.com/politics/1999/feb/04/uk.politicalnews6

http://www.independent.co.uk/news/official-zinoviev-letter-was-forged-1068600.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.