Rajoy shpërbën Katalonjën, shpall zgjedhje të parakohshme
Shpërbërjen e parlamentit katalanas dhe zgjedhje të parakohshme më 21 dhjetor shpalli kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy pas vendimit të Katalonjës për të shpallur pavarësinë.
"Vendosa të njoftoj zgjedhjet e parakohshme dhe të lira. Është thelbësore që qytetarët e Katalonjës të rifitojnë zërin e tyre për t'u kthyer përsëri në një shtet demokratik.
Ne duhet të rivendosim normalitetin në Katalonjë”- tha shprehimisht Rajoy, duke shtuar se kishte vendosur ta shkarkonte presidentin Carles Puigdemont dhe qeverinë e Katalonjës. Po ashtu u vendos që ministrat e qeverisë qendrore të marrin përsipër detyrat e administratës katalanase dhe drejtimin e policisë lokale.
Më herët parlamenti i Katalonjës shpalli pavarësinë e rajonit autonom nga pjesa tjetër e Spanjës, ndërsa qeveria qendrore në Madrid u përgjigj me aktivizimin e nenit 155 i cili pezullon kompetencat e rajonit. Propozimi i pavarësisë, i paraqitur nga partitë separatiste u miratua me 70 vota pro, 10 kundër.
"Ne shpallim shtetin demokratik, të pavarur dhe sovran të Katalonjës"- thuhet në shpalljen e parlamentit katalanas. Para votimit, deputetët e Partisë Popullore, Socialistët dhe Ciudadanos u larguan në shenjë proteste. Rezoluta i bën thirrje qeverisë katalanase të negociojë njohjen e saj jashtë vendit. Bashkimi Europian reagoi ndaj shpalljes së pavarësisë së Katalonjës, duke theksuar se pozicioni i bllokut nuk ndryshon dhe se është kundër çdo lloj forme përçarjeje në Europë.
Add new comment