Ana e errët e industrisë së çokollatës
Një investigim i bërë së fundmi hedh dritë mbi pasojat shkatërrimtare të industrisë së çokollatës mbi mjedisin. Një produkt që sillte xhiro deri në 100 miliardë dollarë në vitin 2015 dhe me konsum 3 milionë tonë. Industria kontrollohet në masë të madhe(50%) nga tri kompani: Olam, Cargill, dhe Barry Callebaut që tregëtojnë kakaon. Investigimi ka zbuluar se këto kompani kanë blerë kakaon, lënda bazë e çokollatës, edhe nga fermerë që kultivojnë në mënyrë ilegale dhe në zona të mbrojtura. Gana dhe Bregu i Fildishtë janë dy vendet kryesore që eksportojnë kakaon dhe dëmi në mjedis përmes shpyllëzimit është thuajse katastrofik. Ghana ka humbur 7000 km2 pyll, ose 10% të të gjihë sipërfaqes së pyllëzuar, kurse në Bregun e Fildishtë u asgjësuan rreth 118 mijë ha pyll. Kjo vetëm në vitet 2001-2014.
Për Bregun e Fildishtë krahasimi me vitet ’60 e bën më të thjeshtë përfytyrimin e dëmit: kështu në vitin 1960, ky vend ishte mjedis kryesor për elefantë dhe shimpazetë e pyllit. Sot vetëm 11% e sipërfaqes mbetet e pyllëzuar. Sipas një studimi të fundit, 13 nga 23 zonat e mbrojtura në këtë vend, kanë humbur të gjithë popullsitë kryesore të tyre.
Nëse kompanitë në fjalë nuk hezitojnë që të blejnë kakaon edhe nga zona ku kultivimi nuk lejohet, edhe partnerët e tyre që prodhojnë çokollatën, mbyllin sytë para këtij realiteti. Rezultatet e investigimit të kryer nga “mightyearth.org” janë pranuar nga kompanitë, të cilat kanë pranur se duhen ndërmarrë veprime për të ndalur këtë që po ndodh, por pa specifikuar se cilat mund të jenë këto veprime.
Ka një shpërndarje shumë joproporcionale edhe në fitim, përveç faktit se siç thuhet, shumica e njerëzve në vendet e kultivimit nuk e kanë provuar ndonjëherë çokollatën, që është një mall i zakonshëm në Europë dhe në Amerikën e Veriut.
Rreth 6 milionë njerëz merren me kultivimin e kakaos dhe ata fitojnë rreth 50 cent/ditë. Në Ghana diçka më shumë, 84 cent/ditë. 35% e fitimit sot u shkon kompanive të çokollatave dhe 44% shitësve siç janë supermarketet. Në këtë industri, rreth 21% e atyre që punojnë(Bregu i Fildishtë dhe Ghana) janë fëmijë dhe në mbarë Afrikën Perëndimore afërsisht 2.1 milionë fëmijë mendohet se janë të përfshirë në këtë punë.
Por kërkesat në rritje – 2.5-3% në vit – për më shumë çokollatë po nxit shpyllëzime edhe në vende të tjera. Industria ka hedhur sytë nga Indonezia, Peruja, apo edhe Kongo. Investigimi sjell edhe sugjerime për atë çfarë duhet bërë, pasi bashkë me krijimin e fermave të mëdha për ushqim, kjo e kakaos është ndoshta fakti tjetër që po çon botën drejt një shpyëllzimi masiv, me pasoja të gjithanshme për klimën.
http://www.mightyearth.org/wp-content/uploads/2017/09/chocolates_dark_se...
Add new comment