Gjykatës me mandat politik, por s’japin prova as për komplotin
Kreyeministri Edi Rama i kërkoi grupit parlamentar të jetë unanim në votimin për mosarrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. I pafajshëm apo jo? “Këtë nuk mund ta them”- deklaroi kryeministri “Është Gjykata që e vendos”.
Nga ana tjetër Rama sulmoi ashpër prokurorinë për mungesë provash, arbitraritet dhe amatorizmën në këtë çështje. Kreu i qeverisë foli për linçim politik që po i bëhet një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë në luftën kundër krimit.
“Ai që akuzon duhet të vërtetojë cdo akuzë që ngre. Akuzuesi nuk jep asnjë provë. Kjo barbari a nuk u ngjan me atë që ndodhi në fillim të viteve ’90 që drejtësia çoi pas hekurave kryetarin e partisë tonë. Me ca letra magazine nga Italia, por me demek për të bërë drejtësi. Kush e inskenoi pas 25 vitesh atë stafetë barbarie, mes politikës së baltos dhe drejtësisë së burgos. Ne jemi këtu, nëse prokuroria sjell prova dhe jo gazeta dhe vjen këtu me fakte, jo për të mbyllur derën, komisioni mund të mblidhet dhe ashtu do të ngremë dorën për arrestin nëse prokuroria do të sjellë prova.”-tha kryeministri.
Kryeministri thotë se nuk është i bindur në pafajësinë e Sajmirit dhe bën një vlerësim të provave çka në fakt është një atribut i Gjykatës. Me një fjalim dhe votë politike një parti që ka pushtetin tregon sesi duhet të zhvillohet procesi hetimor ndaj ish-ministrit të dyshuar për afera kriminale në çështje të trafikut të drogës.
Nga ana tjetër Rama flet për komplot politik ndaj ish-ministrit duke bërë një paralelizëm me burgosjen e Fatos Nanos, por nuk jep asnjë provë për teorinë e vet, mbi të cilën partia në fjalë vendosi që Tahirin t’ia vërë në dispozicion drejtësisë pa u diskretituar as ai vetë personalisht, por më e rëndësishmja as vetë partia që e lindi dhe e rriti dhe e bëri atë që e bëri. Ai nënkupton se pas skenarit Tahiri është opozita, dhe këtë e ka të bazuar në bindje dhe jo në prova. Argumenti i vetëm është se "ne jemi ndryshe".
Aspekti tjetër është distancimi politik nga ish-ministri, i cili do të jetë një “njeri i lirë dhe një deputet i lirë, jashtë forumit të partisë Socialiste dhe jashtë grupit parlamentar të partisë socialiste” edhe kjo me vendim të kryeministrit, që mesa duket nuk është as vetë i bindur nëse ish-kampioni i tij është i fajshëm apo i pafajshëm.
Comments
rinabuli@yahoo.ca
Po deputetet socialiste,nuk diskutuan,apo te pakten,nuk paten ndonje pyetje.Apo ata si grup edhe mendojne njelloj,nje kompaktesi,pak si e cuditeshme ,kjo?
Add new comment