Ngjela: “Edi Rama, jashtë interesave perëndimore në Shqipëri. Radha po i vjen Engjëll Agaçit”
“Lamtumirë Rama! Ike me turp nga kjo punë.
Dy herë është shitur partia që drejton sot Ramë ziu: një herë e bleu Enver Hoxha me paratë e Ibrahim Biçakut, në vitin 1941; dhe herën e dytë e bleu Edi Rama me leje ndërtimi, duke qënë kryetari më abuziv i bashkisë së kryeqytetit në të gjithë historinë e kësaj bashkie”.
Kështu shkruan sot në një postim të vetin në Facebook ish-miku dhe aleati i dikurshëm i kryeministrit Spartak Ngjela. Duke marrë në analizë çështjen e krijuar nga përgjimet e Moisi Habilajt dhe evidentin në to të emrit të ish-ministrit Sajmir Tahiri, Ngjela shkruan se hetimet e nisura janë pjesë e një skenari që sheh të hetuar së afërmi edhe njerëz të tjerë të rrethit të ngushtë të kryeministrit.
“…bëhet e ditur se ministrat e Ramës janë të përgjuar që nga viti 2013. Ndërkohë Gjermania dhe USA i dhanë 3 vjet kohë Ramës që të bënte reformën, por më pas e mbyllen si kapitull Ramën….Tani, pas Tahirit, Ramës po i kërkohet dhe po shkon drejt penalizimit edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ndërkombëtarët po godasin stafin e ngushtë të Ramës. Pse? Ja, kjo është pyetja që duhet të ngrënë gazetaria shqiptare, e jo të merret vetëm me faktin. Nuk e kuptoni që gjithçka po ngrihet kundër Ramës?”shkruan Ngjela.
I njohur për qëndrimet e tij vetëreferuese dhe për parashikime që nuk dihet ku bazohen, Ngjela e quan çështje të kryer nxjerrjen e Edi Ramës nga ekuacionet gjeopolitike perëndmore në Ballkan.
“Tani duhet të bëhet pyetja: a do të japë dorëheqjen Edi Rama?”, vijon Ngjela, sipas të cilit në pazarin politik të qëndrimit ose jo, Edi Rama ka mbështetjen e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës që shpresojnë se të tre do të bllokojnë reformën në drejtësi.
“Politika ka një rregull: mos shkoni pas kufomës se ju merr me vetë në varr”, shkruan ai.
Add new comment