Nga fanatikët e procedurës te kundërshtimi i ligjit për pakicat
Seanca e kësaj të enjteje në parlament ku do të diskutohej projektligji për pakicat mori një tjetër rrjedhë për shkak të problemeve proceduriale që lidhen me drejtimin e seancës.
Me vendimet që mori drejtuesi i saj Gramz Ruçi për të mos i dhënë fjalën për procedurë deputetit të PD-së, Flamur Noka, seanca degradoi sërish në bllokim të foltores, përjashtim deputetësh dhe shtyrje të seancës. Përjashtim u kërkua edhe për kryeministrin që pranoi se ka fyer me "fjalët ky ka rrjedhur" ish-kryeministrin Sali Berisha.
Më herët gjatë paradites projekligji për njohjen e pakicave u kritikua ashpër nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili deklaroi se ligji ka shkelje flagrante në nenin 5 të ligjit kur thuhet se minoritetet do të përcaktohen në bazë të ligjti për censusin.
"Të mos harrojmë se në vitin 2011 është hequr e dhëna mbi përkatësinë etnike të qytetarëve në librat e Gjendjes Civile. Kujt do t'i referohemi? Të dhënave të paqëna, të cilat nuk janë më pjesë e regjistrit institucional, por të arkivit? Me këto nocione ju sillni një ligj të ri që do të garantojë standarde të reja të respektimit të të drejtave të minoriteteve? Kur KE e thotë qartë e pastër se parametrat e ligjit bien ndesh me nenin 3 të Konventës kuadër"-deklaroi Dule.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha tha se është e papranueshme është që ky ligj paraqitet nga ministria e jashtme sikur çështjet e minoriteteve janë afera të jashtme të këtij vendi. "Kjo nuk qëndron dhe këto janë çështje të lirive dhe të minoriteteve dhe që në momentin që ti e imposton problemin, ti krijon mollën e sherrit në një ministri që është faktuar dizatër si një dështim i plotë në këto 4 vite dhe tani i duhet një ligj për të thënë unë kalova ligjin. Pazare mafioze që shkelin Kushtetutën e vendit”- tha Berisha.
Por si ministri i Jashtëm ashtu dhe kryeministri e quajtën ligjin model dhe krenari për Shqipërinë, pasi sipas tyre është një nga modelet më të mira të adoptuara për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
Add new comment