Kompromentimi i nismës për TVSH-në*
1. Grupimi kryesor i biznesit që bën evazion (fsheh taksat) është biznesi i madh. Kjo ndodh si përmes korruptimit të institucioneve, si doganat, tatimet, inspektimet, etj., por edhe lidhjeve të shkurtra me lidershipin politik të vendit. Ndërkaq, e njëjta gjë ndodh edhe nëpërmjet mospajisjes së sipërmarrësve të vegjël me faturën përkatëse tatimore. Në këtë rast, edhe një pjesë e mirë e këtij të fundit (biznesit të vogël) nuk është e interesuar për të marrë faturat, sepse nëse deklarohet xhiroja reale, tatimet ndryshojnë klasifikimin dhe e përfshijnë në grupin e bizneseve që paguajnë taksa.
2. Në dy “aksionet” e fundit kundër informalitetit, qeveria nuk ka arritur objektivat e saj për të ngushtuar informalitetin, por një pjesë e mirë e punëtorëve informalë janë regjistruar në sigurime (kryesisht si zbritje nga pagat e tyre, edhe kështu më të ulëtat në rajon). Kjo do të thotë se problemet e informalitetit të lartë dhe problemet që krijon për ekonominë, buxhetin dhe vetë biznesin janë të mëdha e serioze.
3. Adresimi aktual i qeverisë për përfshirjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së parimisht është i drejtë, d.m.th i kontribuon ngushtimit të informalitetit në vend. Mjerisht sot nuk ka një draft ligj të qeverisë (sipas ligjit duhet ta vëjë në dispozicion të palëve të interesuara përpara shqyrtimit në qeveri dhe Kuvend) për të komentuar mbi të, për të projektuar implikimet e mundshme si dhe për të tërhequr mendimet dhe opinionet e ekspertëve për opsionet më të mundshme/të favorshme për ekonominë e vendit.
4. Edhe në kushtet e mungesës së draft-ligjit për përfshirjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së, mund të hamendësohet se për të penguar rritjen e menjëhershme të çmimeve për konsumatorët, TVSH-ja duhet të jetë në nivel zero dhe vendosja e saj duhet të jetë thjesht si instrument kontrolli ndaj biznesit të madh. Po kështu, qeveria duhet të ofrojë stimuj dhe mekanizma plotësues për të bërë biznesin e vogël të interesuar për zbatimin e kësaj mase.
5. Dy a tri pasoja në nivel të vendit janë të mundshme nëse kjo masë do të zbatohet pa përgatitjen e nevojshme ligjore, të infrastrukturës dhe të burimeve njerëzore. E para, rrezikohet falimentimi i një numri të madh biznesesh të vogla, duke rritur kështu ushtrinë e të papunëve. Sot kreu i Dhomës së Industrisë dhe Tregëtisë së Tiranës deklaroi një shifër të frikshme të projeksionit të tij nga zbatimi i kësaj mase. E dyta, është rritja e çmimeve të mallrave për konsumatorët, gjë që në thelb shton varfërine në vend dhe sidomos të shtresave më vulnerabël të shoqërisë. Shtypi i sotëm ofroi vlerësime që bëjnë fjalë për rreth 500 mijë konsumatorë që mund të preken me këtë rast.
6. Në kushtet e sotme të pjesës më të madhe të biznesit të vogël, sipas mendimit tim, norma e fitimit të këtij biznesi nuk lejon që të përfshihet në sistemin e raportimit online, të blejë kasën regjistruese, të pajtojë financier për raportimet, etj.. D.m.th në kushtet e sotme, ky segment i biznesit nuk përmbush dot detyrimet që lidhen me “tax compliance” prandaj nevojitet ndërhyrja lehtësuese e qeverisë. Më konkretisht mendoj se kasat regjistruese mund të blihen dhe të mbeten pronë e qeverisë që i jepet në përdorim bizneseve të vogla.
7. Administrata tatimore nuk është e përgatitur për dyfishimin e punës së vet, veçanërisht kur shtimi i volumit të punës sjell (teorikisht) një rritje modeste të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Pra, nevojitet kualifikimi dhe rikualifikimi i kësaj adminstrate.
8. Kam vënë re me keqardhje njëfarë ngazëllimi dhe entuziazmi të shfaqur nga një numër oligarkësh që me sa duket presin që nëpërmjet kësaj mase të qeverisë të sigurojnë rritjen e numrit të konsumatorëve në supermarketet e tyre apo “punëtorë me mëditje”, d.m.th skllevër modernë që kushtojnë lirë si punëtorë krahu/fasonësh. Kjo kulmoi sot me një lloj të veçantë e grotesk proteste “kundër informalitetit”... Duke njohur fuqinë lobuese të tyre mbi qeverinë dhe duke njohur faktin se ata janë edhe evazionistët e vërtetë të biznesit shqiptar, mendoj se më shumë se e ndihmojnë, po e komprometojnë edhe qëllimin e mirë të qeverisë në “luftën e saj kundër informalitetit”, prandaj duhet të ndalin marrëzira të tilla publike.
9. Së fundi, ftoj qeverinë që sa më shpejt të bëjë publik draftin e saj rreth kësaj mase, si dhe të ndërmarrë një dialog të hapur dhe konstruktiv me komunitetin e biznesit të vogël, i cili për hir të së vërtetës nuk përfaqësohet në asnjë platformë qeveritare të dialogut, të dominuar nga oligarkë dhe lobistë që de facto diktojnë politikat fiskale dhe ekonomike të qeverisë. Përndryshe, edhe pse një masë qëllimmirë për të ngushtuar informalitetin, po komprometohet pa nisur akoma. Ndoshta do të jetë mirë të përgatitet kuadri ligjor hap pas hapi dhe të hyjë në fuqi më vonë, p.sh në mesin e 2018-ës në fillim të 2019-ës.
*Marrë nga profili në Facebook i autorit
Titulli është i ResPublica
Add new comment