Mbi përfshirjen e biznesit të vogël në regjimin e TVSH-së
Ditët e fundit, personalisht jam përfshirë modestisht në debatin publik rreth propozimit më të fundit të qeverisë për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Së pari, përfshirja në skemën e TVSH-së e biznesit të vogël, nuk presupozon domosdoshmërisht 20%. D.m.th, interesi primar publik është përfshirja në sistem, gjurmimi i lëvizjes së mallit dhe detyrimi i biznesit të madh që të deklarojë të gjithë transksionet e veta. Ky grupim është burimi i vërtetë i evazionit dhe jo biznesi i vogël.
Pra, mendimi im është që përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së duhet parë që në fillim si një instrument kontrolli në funksion të reduktimit të informalitetit dhe kurrsesi si një mjet për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.
Së dyti, problemi i “tax compliace” mund të zgjidhet vetëm me një vullnet politik maksimal, nëse do të ketë një të tillë. Hapat kryesore mund të jenë, p.sh, jo domosdoshmërisht raportim online, njëlloj si pjesa tjetër e biznesit (mund të bëhet një herë në javë apo në muaj); raportim për disa biznese nga e njëjta makinë raportimi; mbulim i kostos së makinës raportuese nga buxheti; edukim falas i bizneseve rreth raportimit financiar; ofrim i shërbimit të raportimit nga pushteti vendor, etj. Mundet që e gjithë nisma të zbatohet jo më herët se në mesin e 2017-ës ose në fillim te 2018-ës.
Së treti, bizneset me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë (të reja) duhen çliruar nga çfarëdo detyrimi tatimor, përveç vetëdeklarimit të vendit ku duan të ofrojnë mallrat dhe shërbimet (për efekt evidentimi dhe sigurie publike) dhe detyrimit për të tregëtuar mallra të shoqëruara me dokumentacionin përkatës sipas ligjit. Këtu mendoj se duhet të analizohet me kujdes roli i pushtetit vendor, të cilit i duhet ndalur dora në lëmin fiskal, sepse me taksat që shpik, po përkeqëson klimën e biznesit dhe të investimeve në vend.
Së katërti, me qëllim që të shmangen keqkuptimet, por edhe ngutja e administratës tatimore për të mbushur arkën e shtetit pa pyetur për pasojat, mendoj se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, mund të bëhet me faza, duke filluar me ato mallra dhe veprimtari për të cilat sot kemi evidencë të mjaftueshme se qarkullimi i tyre nga shumica te pakica gjeneron evazion fiskal në shuma të konsiderueshme, mandej me të tjerat.
Së pesti, mendoj se qeveria duhet të studiojë dhe të analizojë me kujdes normat e fitimit në lloje të ndryshme të shërbimeve që ofron biznesi i vogël, me synim që veprimtaritë me norma minimale fitimi të lihen për periudhat e ardhshme.
Së fundi, trajtimi i kësaj nisme të qeverisë si ndikim i oligarkisë për të falimentuar biznesin e vogël me qëllim që klientela të orientohet drejt qendrave tregëtare dhe bizneseve të vetë oligarkisë, nuk është krejt pa baza nëse në mënyrë represive, me “aksion”, do të imponohet zbatimi i saj me TVSH 20%. Në këtë rast do të injoroheshin plotësisht problemet që lidhen me pamundësinë reale të një pjese të madhe të bizneseve të vogla për të përmbushur detyrimet për raportim për shkak të pamundësisë financiare të tyre për të përballuar kostot e këtij procesi, mungesës së njohurive, por edhe të klimës së frikës që krijon metoda e dalëboje e “aksioneve me goditje të përqendruar”, nga të cilat nuk po heq dorë kollaj qeveria aktuale...
Marrë nga profili i autorit në Facebook
Add new comment